E tha apo nuk e tha Lulzim Basha që ka qenë me pantallona të shkurtra në shkurtin e 1991 për të shembur shtatoren e Enver Hoxhës, ishte apo nuk ishte atë ditë është tallja më e vogël që kreu i PD-së u bëri shqiptarëve këtë të diel.
Tallja e madhe dhe e sigurtë ishte firma mbi peticionin për dekomunistizimin e vendit. Pse? Peticioni synon që të ndërgjegjësojë deputetët për një paketë ligjore, ose një ligj të vetëm që të dekomunistizojë shoqërinë, sipas autorëve të tij.
Më pas, deputetëve që u mbushet mendja se këto ndryshime janë të nevojshme mund të paraqesin në Kuvend në formën e një projektligji, apo paketë projektligjesh për ta realizuar.
Pra, qëllimi i nismës së shoqërisë civile në këtë rast është që të dëgjohet nga deputetët dhe këta të fundit më pas të diskutojnë në Kuvend. Tallja u bë edhe me groteske pasi veç Bashës peticioni u firmos edhe nga deputetë të tjerë të Partisë Demokratike.
Fare mirë, Basha dhe deputetët e tij mund t’u kishin kursyer qytetarëve këtë inskenim dhe të kalonin direkt në temë, pra duke marrë propozimet e peticionit të shoqërisë civile dhe shndërruar ato në nisma ligjore në Kuvend. Topi më pas do t’i ngelte Edi Ramës, nëse do ta miratonte apo jo si peticion, por Basha do të kishte kryer detyrën e tij si opozitar në Parlament.
Po ka edhe një shpjegim tjetër shfaqja e Bashës, shpjegimi nëse kreu i PD-së e ka harruar që prej shtatorit është deputet dhe e di veten ende pa mandat, e pa fuqi propozuese ligjesh në Kuvend.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.