Qeveria e Kosovës, nëpërmjet zëdhënësit të saj Përparim Kryeziu, ka dhënë detaje lidhur me takimin mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij kosovar, Albin Kurti, i zhvilluar në "Vilën 30" në Tiranë.
Kurti erdhi sot në Tiranë pasi la në mes një konferencë për mediet, duke thënë se kishte një “takim urgjent”, por pa sqaruar se për çfarë bëhej fjalë.
Duke folur për teve1.info, Kryeziu ka thënë se me theks të veçantë në këtë takim që zgjati dy orë, diskutua për sfidat energjetike dhe shkëmbimet që po bëjnë KEK me KESh.
“Kryeministri Kurti ka zhvilluar sot një takim pune me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në këtë takim dy kryeministrat kanë folur për çështjet e politikave publike e qeveritare dhe socio-ekonomike në Kosovë e Shqipëri, me theks të veçantë në sfidat energjetike dhe shkëmbimin që po bëjnë KEK me KESh”, ka thënë ai.
Ndërkohë, burime për mediat bëjnë me dije se në takim është folur për bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë, në fushën e infrastrukturës. Konkretisht për Portin e Durrësit, si edhe për hekurudhën Tiranë-Prishtinë. Kurti ka qenë u shoqëruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
Gjithashtu në fokus të bisedës ka qenë edhe rezoluta e miratuar në Kuvend kundër raportit të Dick Marty-t.