Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka kërkuar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare informacione lidhur me fatin e të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj, i cili njihet ndryshe dhe si "mbreti i basteve sportive".
Gjatë fjalës së tij, Noka tha se situata e krimit është alarmante dhe akuzoi shtetin se “ose është dorëzuar ose është bashkëpunëtor" në çështjen e Ervis Martinajt.
“A ka informacion qeveria për Ervis Martinajn? A ka apo jo informacion. Pse? Qarkullojnë lloj lloj thashethemesh, thonë që shteti s’e gjeti dot kurrë, por gjetën hasmin. A ka gjë më të rëndë kur nuk e gjen dot shteti? Çfarë tregon? Që shteti në rastin më të mirë është i dorëzuar, në rastin më të keq i falimentuar. Këtu është bërë njësh mafia me shtetin e ka një kod, kod heshtje, është shumë e rëndë kur kodi i heshtjes së mafies të bëhet kodi i qeverisë”, theksoi Noka.
Sipas tij, sot çdo shqiptar e kupton që kjo qeveri s’është në gjendje të ruajë as sigurinë e jetës as pronës, të paktën të ketë informacion çfarë po ndodh.
"Këtu po hyn derri dhe dosa e shteti nuk di gjë. Këtu njerëzit po shtypen si kërpudha e shteti nuk është në gjendje të kuptojë kush e bëri. Ose shteti është i dorëzuar ose është bashkëpunëtor se s’ka rrugë tjetër.
Këtë përgjigje e kërkojnë qytetarët zotërinj se paguajnë taksa për këtë zonjënjqë është zv ministre atje, për atë zotërinë që është ministër, për gjithë ato banditë që i keni veshur me uniformë. Pse i paguajnë?
Këtu është bërë njësh mafia me shtetin e ka një kod, kod heshtje, është shumë e rëndë kur kodi i heshtjes së mafies të bëhet kodi i qeverisë. Kod heshtje ka vendosur zonja sot, ky është kodi i heshtjes", tha deputeti i PD-së.