VoxNews publikoi ditën e sotme lajmin se politikani i lartë që rezulton me dokumente se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, është ish-presidenti i vendit Ilir Meta.
Njoftimi u dha pasditen e kësaj të marte nga Autoriteti i Dosjeve, vetëm me inicialet I.M, por ne mësuam se bëhet fjalë për Ilir Metën.
Pas këtij lajmi ka reaguar Tedi Blushi, këshilltari i ish-presidentit Meta i cili i kërkon Autoritetit të Dosjeve që të publikojë të plotë cdo dosje apo informacion.
"Ha Ha Ha… Autoriteti i Dosjeve u kujtua t’i kërkojë Kuvendit të ndryshojë ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit”, një ditë pas themelimit të Partisë së Lirisë, se gjoja një politikan i nivelit të lartë I.M, figuron bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe qenka përpjekur për t’u fshehur nga verifikimet dhe për këtë u dashka bërë një ligj i veçantë.
Mos e lodhni kot Kuvendin me këtë punë, se ka çështje të tjera më të rëndësishme për t’u marrë si aferën skandaloze të inceneratorëve apo Marrëveshjen e Detit me Greqinë (kujtoni letrën e fundit të Presidentit të Republikës për të gjithë deputetët).
LATË NAM ME PATRONAZHISTËT E SOTËM JU QË PASKENI MERAKUN E “PATRONAZHISTËVE” TË KOMUNIZMIT.
I BËJMË THIRRJE AUTORITETIT TË DOSJEVE TË HAPË QË SOT DHE TË BËJË PUBLIKE ÇDO DOSJE DHE INFORMACION TË SIGURIMIT TË SHTETIT DHE GJITHÇKA TJETËR, PËRFSHIRË EDHE PROCESVERBALET E ORGANIZATËS SË RINISË TË ASAJ KOHE!
Jetojmë në kohën e "pavarësisë" së institucioneve, por edhe të TRANSPARENCËS, që nuk do të ndalet", shkruan Blushi.
Kujtojmë se Ilir Meta ka mbajtur disa poste të rëndësishme, nga deputet, kryeministër, kryetar i Kuvendit dhe së fundmi deri dy ditë më parë President i Republikës. Nëse ligji do të ishte ndryshuar dhe Kuvendi do kishte marrë parasysh kërkesat e Autoritetit të Dosjeve, Ilir Meta edhe mund të mos ishte bërë President.