Zbulohet takimi sekret që Rama bëri në Abu Dhabi me CEO-n që fitoi kontratën 118.5 milionë USD!

21 Prill 2026, 15:08Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama dhe Peng Xia gjatë takimit në Abu Dhabi

Rama zhvilloi të hënën një vizitë zyrtare në Abu Dhabi, ku përveç takimit me Presidentin Sheikh Mohammed bin Zayed, u takua edhe me CEO-n e grupit G42, Peng Xiao përfitues i një kontrate të debatueshme pa tender për sistemin e kamerave “Smart City”, me vlerë 118.5 milionë dollarë.

Në takimin me Xiao-n, përveç kryeministrit Rama, morën pjesë edhe drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, deputeti Ulsi Manja dhe zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia ky i fundit edhe zyrtari shqiptar që ka firmosur kontratën me kompaninë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

E pyetur nga BIRN, një zëdhënëse e Këshillit të Ministrave tha se takimi me kreun e G42 ka shërbyer për të “eksploruar dhe diskutuar mundësitë dhe potencialin e bashkëpunimit.

”Projekti “Smart City” parashikon vendosjen e mijëra kamerave inteligjente në hapësirat publike, përfshirë kamera për monitorimin e trafikut në rrugë, shkolla dhe pika kufitare.

“Smart City” është përfshirë në listën e projekteve me rëndësi kombëtare nga qeveria shqiptare dhe fillimisht parashikohej të kushtonte rreth 60 milionë dollarë. 

Megjithatë, kostoja e tij pothuajse u dyfishua në 118.5 milionë dollarë pa një shpjegim publik, ndërsa financimi pritet të mbulohet përmes një huaje nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit.

Projekti do të zbatohet nga kompania Presight AI, pjesë e grupit G42, e cila ka ngritur shqetësime në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për lidhjet e saj me kompani kineze.

Në takim me delegacionin shqiptar ka qenë gjithashtu edhe Thomas Pramotedham, administrator i Presight AI.

Projekti është kontestuar gjithashtu nga ekspertë të të drejtave digjitale për rreziqet që paraqet për privatësinë e qytetarëve, për shkak të shkallës së gjerë të mbikëqyrjes në hapësirat publike./Birn


Video