Është ligjvënësi më i vjetër, Berisha refuzon të hapë Parlamentin e ri: Nuk mund t'ia lejoj vetes, kurrë!

26 August 2025, 14:41Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Është ligjvënësi më i vjetër, Berisha refuzon
Sali Berisha

Pas pushimeve verore, politika shqiptare do rikthehet me nisjen e legjislaturës së re të Parlamentit në shtator.

Sali Berishës si ligjvënësi më i vjetër në moshë, i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, sipas rregullores i takon ta drejtojë këtë seancë, por kreu i Partisë Demokratike ka deklaruar prerë se do ta refuzojë këtë privilegj.

Në një konfererencë për mediat nga selia blu, Berisha tha se ai s’mund t’ia lejojë vetes që të çelë legjislaturën e një Parlamenti që sipas tij i takon partisë shtet.

“Një parlament jo legjitim, nuk mund ta hap kurrë, kurrë. Nuk mund t’i bëj vendit tim unë një antishërbim të tillë. Harroje! Po të ishte legjitim, me kënaqësi do ta bëja, do ta kisha patur kënaqësi, por ky është një parlament jo legjitim. Nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë, sipas të gjitha dokumenteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Është rekomandim i Këshillit të Europës që thotë; në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti. Kaq mjafton kjo frazë për të treguar se ky është parlamenti i partisë-shtet. E si mund ta hap unë atë? Si mund të ia lejoj vetes të ulem unë aty? Kurrë...", u shpreh Berisha.

Më tej kryedemokrati tha se për këtë vendim të tijin nuk ka diskutuar me demokratët, ndërsa nuk e kurseu ironinë, duke thënë se pas tij dhe Tritan Shehut, ndoshta vjen kryeministri Rama në radhë si më i moshuari.

“Nuk kam biseduar me asnjë njeri, por unë shpreha mendimin tim. Nuk kam biseduar. Pas Tritanit vjen Edi Rama, apo kush vjen? ...Thashë mos ishte Edi”, shtoi Berisha.

 

 


Video