Shqipëria reagon për stërvitjet ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën

19 March 2026, 15:40Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shqipëria reagon për stërvitjet ushtarake të Serbisë

Stërvitjet ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën dhe deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç për aleancën ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës kanë rikthyer vëmendjen te siguria në rajon.

Në një dalje për mediat, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi, theksoi se politika e sigurisë e vendit është plotësisht e harmonizuar me NATO-n dhe se qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim.

“Republika e Shqipërisë të gjithë politikën e sigurisë e ka në përputhje me NATO-n, aleanca ushtarake më e fortë në botë”, u shpreh ai.

Nufi nënvizoi se e gjithë doktrina dhe përgatitja ushtarake e Shqipërisë zhvillohet në koordinim të plotë me aleancën dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Qytetarët shqiptarë duhet të jenë të sigurt se çdo veprim është në koordinim të plotë me NATO-n”, tha zyrtari i lartë.

Sa i përket situatës në Kosovë, ai theksoi rolin e KFOR-it si një garanci për sigurinë në vend.

“Për sa kohë në Kosovë kemi një forcë të mandatuar si KFOR-i, në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara, siguria mbetet e garantuar”, shtoi ai.

Ministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu se shqetësimet e krijuara në publik apo në media nuk ndryshojnë qasjen e Shqipërisë, e cila mbetet e fokusuar në përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO-s dhe në bashkëpunimin me aleatët.


Video