“Shqipëria në Evropë? Me dylbi…”/ Berisha: Rama as Lanën s’e kalon dot, nuk i mbyllin dot negociatat!

21 Janar 2026, 20:40Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha

Kryedemokrati Sali Berisha tha se Shqipëria e ka të vështirë në situatën që ndodhet vendi me skandalet qeveritare të korrupsionit dhe aferave, krimit të organizuar dhe karteleve të drogës, që të mbyllë negociatat me BE-në dhe të shkojë në Evropë.

Duke përdorur edhe një batutë, ai shtoi se “Evropën ta shohë me dylbi”, teksa iu referua qeverisë si më e korruptuara dhe kryeministrit si më famziu i botës.

Ai shtoi para mbështetësve të Foltores nga dega nr. 2 e PD-së në Tiranë, se Rama as Lanën nuk e kalon dot, jo më të çojë Shqipërinë në BE.

“Shqipëria në Evropë, me dylbi. Ua them unë, mos dëgjoni sharlatanët! Dokumentet nuk mbyllen kollaj, nuk i mbyllin dot. Edi Rama as Lanën s’e kalon dot. As Lanën nuk do e kalojë dot ai”.

Berisha akuzoi edhe anëtarë të strukturave të PD-së që kanë shkuar në gjirin e pushtetit të Ramës duke pranuar pozicione të larta zyrtare, si rasti i drejtorit të Kadastrës Vlorë apo deri edhe në Tiranë, duke nënvizuar edhe vështirësitë e qëndrimit në opozitë, apo ofertat e pushtetit.

“E kanë përdorur dhe e përdorin partinë për interesa personale, por kjo s’duhet të ndodhë dhe s’mund të ndodhë më. Iku ai në Vlorë, me të cilin unë bisedoja shpesh dhe flisnim, shkoi drejtor i Kadastrës pas zgjedhjeve. Tjetri që dilte studiove televizive u emërua”, nënvizoi kreu i selisë blu.

Ai apeloi ndaj qytetarëve shqiptarë që më 24 janar të vijnë në Tiranë për protestën kombëtare, madje edhe ata jashtë vendit nëse kanë mundësi, për të rrëzuar regjimin e Ramës, për të cilin shpjegoi se “është bërë kryeministër famzi në botë me skandalet e Ballukut dhe AKSHI-t”.

“Më 24 janar ju presim të gjithëve, edhe ata që nuk vijnë dot, edhe ata që jetojnë jashtë shtetit. Ajo ditë është e dinjitetit. Rama është faqezi në sytë e botës dhe Evropës, është famzi, me skandalet e Ballukut, AKSHI-t, është famzi. Një kryeministër që mbron se është vetë, ua bëj të qartë se është vetë ai. Autori kryesor, arkitekti kryesor i korrupsionit është Rama dhe pas këtyre dosjeve qëndron Rama. Ngritja e zërit është për dinjitetin e shqiptarëve, para vetes dhe botës, që s’pajtohemi me të keqen. Kemi një kryetar të një organizate kriminale dhe nuk pajtohemi kurrë me të dhe kjo është e rëndësishme”, përfundoi kryedemokrati.


Video