“A do të dëmshpërblehen familjet e prekura nga ngordhja e bagëtive gjatë zjarreve të verës?”, ministri i Financave: S’ka kërkesë nga Ministria e Bujqësisë!

21 Janar 2026, 15:23Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Petrit Malaj

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka pyetur në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë ministrin e Financave, Petrit Malaj, nëse është parashikuar në aktin normativ të dhjetorit kompensimi i familjeve që u prekën nga ngordhja e bagëtive prej zjarreve në verë.

Sipas Braçes, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, kishte thënë gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar se kompensimi për familjet e prekura nga ngordhja e bagëtive nga zjarret do të përfshihej në akt normativ.

“A është parashikuar në aktin normativ të dhjetorit kompensimi i familjeve që u prekën nga ngordhja e bagëtive prej zjarreve në verë? Se ministri i Bujqësisë na ka thënë në nëntor që do të përfshihet në akt normativ”, pyeti Braçe ministrin e Financave.

Ndërkohë ministri Petrit Malaj iu përgjigj Braçes se nga Ministria e Bujqësisë s’kishte pasur kërkesë për të dëmshpërblyer qytetarët e dëmtuar nga zjarret e verës.

Malaj tha se është ngritur një komision që po vlerëson dëmet, por shtoi se duhet parë kuadri ligjor nëse e mundëson dëmshpërblimin e tyre ose jo.

“S’ka kërkesë nga Ministria e Bujqësisë për të dëmshpërblyer qytetarët e dëmtuar nga zjarret e verës. Pra s’ka kërkesë për kompensim për bagëtitë e ngordhura nga zjarret gjatë verës. Është ngritur një komision që po vlerëson këto dëme, por duhet parë edhe kuadri ligjor nëse na e mundëson dëmshpërblimin e tyre”, ishte përgjigja e Malajt.


Video