Shpëtim Idrizi i beson Ballës: Nuk do të kemi President të njëanshëm, të flasim me emra konkret

13 May 2022, 11:06Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shpëtim Idrizi i beson Ballës: Nuk do të kemi President të
Shpëtim Idrizi

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka dal optimist pas takimit me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ku sipas tij, nuk do të kemi një President të zgjedhur njëanshmërisht nga mazhoranca. 

Idrizi theksoi se Presidenti i ri duhet të ketë eksperiencë politike, ndërsa shtoi se ka ardhur koha që palët të flasin me emra konkretë.

“Theksuam që Presidenti duhet të jetë një person thellësisht me eksperiencë politike. Është njeriu që përfaqëson unitetin e kombit. Sigurisht që një president që mbart konsensus do ta luante shumë më mirë këtë rol. Gjetëm një vullnet të mirë. Nuk do të kemi një President të zgjedhur njëanshëm nga mazhoranca. Do të ftoja të gjitha palët që ne kërkojmë një President për palët dhe duhet të na bashkojë figura. Patëm një dakordësi me përfaqësuesit e PS-së që ka ardhur koha të flasim me emra konkretë. Duhet t’i japim shqiptarëve një President me peshë publike sepse politika shqiptare krijon shumë kriza. I ftoj të gjitha palët që të bashkohemi tek të gjitha prerogativat kushtetuese që kërkohen për Presidentin e Publikës”, tha Idrizi.

I pyetur se pse nuk pret që të negociojë si një e tërë me PD-në, Idrizi tha se: "Nuk kushtëzojmë dot njeri në formatin që ata zgjedhin për të biseduar. Ne nuk mund të lëmë në terr shqiptarët për procesin e zgjedhjes së njeriut me të rëndësishëm në piramidën e shtetit. PDIU e ka marrë këtë përgjegjësi". 


Video