
Kreu i Partisë Demokratike tha sot nga podiumi i protestës së katërt kombëtare të opozitës se qeveria e Edi Ramës po shkreton vendin dhe i ka kohët e numëruara.
Ai e krahasoi regjimin e qeverisë socialiste njëlloj me atë të paraardhësve të tyre, regjimit të Enver Hoxhës. Berisha nënvizoi se Rama e mban pushtetin e tij në tre shtylla turpi dhe tani është i damkosur si hajdut dhe për farsën elektorale.
“Pushtetet e vendit do ishin në duart e një tradhtari që do rrijë gjithmonë në historinë kombëtare për aktet e tradhtisë. 35 vite më parë ata qindra e mijëra burra e gra që kaluan bllokimin, kaluan autoblindat, snajperat, mitralozat për votën e lirë, për dinjitetin njerëzor, nuk e besonin kurrë se 35 vite më vonë, përsëri do i kthehej farsa zgjedhore e atij që përmbysëm.
E vërteta është se ne nderojmë sot këtë datë me ndjenjën e mirënjohjes së thellë dhe me zotimin tonë para shqiptarëve se Edi Rama do i ketë kohërat e numëruara. Enver Hoxha siç dihet vdiq në vitin 1985, por e vërteta është se ai, diktatura e tij vazhduan sundimin fuqiplotë gjer ditën që ne shembën shtatoren e tij, kultin makabër të Enver Hoxhës që kishte pushtuar shpirtrat e shqiptarëve”, tha kreu i opozitës.
Për Berishën, tani kryeministri është një kufomë politike dhe i diskredituar në botë si hajdut i zgjedhjeve të lira dhe si i korruptuar, duke përdorur krimin dhe duke shpopulluar Shqipërinë.
“Njëlloj sot, Edi Rama është një kufomë politike, kalbësirë politike, i damkosur, i diskredituar, i tmerruar. Por sërish njëlloj si shtatorja e Enver Hoxhës do mbetet në atë zyrë për sa kohë ne nuk do e tërheqim zvarrë siç tërhoqëm atin e tij shpirtëror 35 vite më parë.
Miq, diktatura hoxhiste ishte një diktaturë e pashembullt, përveç luftës së klasave ku ekzekutoi mijëra e mijëra shqiptarëve me dinjitet e në besimin te zoti, internoi mijëra të tjerë e persekutoi qindra mijëra, përdori izolimin më të thellë, regjim 46 vjeçar e vendosej mbi disa shtylla që rëndonin mbi shqiptarët. Sot ai po shpopullon Shqipërinë, po e shkreton vendin”, u shpreh Berisha.
Ndërsa vijoi krahasimin e dy sistemeve, kreu i selisë blu theksoi se Rama e mban pushtetin me tre shtylla turpi, duke shndërruar popullin në fantazmë me krimin dhe vjedhjet e tij.
“Sot, regjimi i Ramës ngrihet në 3 shtylla turpi. Tre shtylla që rrënojnë çdo ditë qenien tonë. Nëse Hoxha me varfërinë dhe shtypjen e indoktrinimin i shndërroi shqiptarët në popull fantazmë, Rama me politikat e tij, vjedhjen, farsën elektorale, krimin dhe ligjin mburojë po i shtron Shqipërinë në dheun e jo shqiptarëve, po shkreton kombin dhe vendin. Ai po shkreton vendin”, vijoi kreu i selisë blu.