
Komisioni i Rithemelimit do të mbledhë nesër në orën 18:00 Këshillin e ri Kombëtar, i dalë nga Kuvendi i 30 Prillit.
Kjo do të jetë mbledhja e parë e anëtarëve të këtij Këshilli Kombëtar dhe sipas deputetit Edi Paloka, qëllimi i mbledhjes nuk është vetëm konstituimi, por edhe do të përcaktohet qëndrimi politik i Partisë Demokratike për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ftesa për tek mbledhja ju shkoi dhe Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeajt apo Gazment Bardhit, pasi për shkak se janë deputetë, janë automatikisht dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar.
Kjo lëvizje vjen pasi Enkelejd Alibeaj do të mbledhë sot grupin parlamentar për të diskutuar mbi procesin e Presidentit.
“Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, ushtrues i kompetencave të Kryesisë së PDSH dhe Kryetarit ka vendosur thirrjen e mbledhjes së parë të Këshillit Kombëtar në datën 6 Maj ora 18.00 në Selinë e PDSH. Qëllimi i mbledhjes, përveç konstituimit të Këshillit Kombëtar është përcaktimi i një qëndrimi politik të PDSH lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Bazuar në nenin 44 pika 5 të Statutit, mbledhja duhej mbajtur të paktën 5 ditë nga thirrja, por për shkak të natyrës urgjente të çështjes që trajtohet, gjithsesi Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit vendosi që mbledhja të mbahet nesër pasdite. Këshilli Kombëtar i PDSH është i vetmi organ i cili mund të përcaktojë qëndrimin e unifikuar të PDSH lidhur me një çështje të rëndësishme politike, si ajo e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, pasi në bazë të statutit ai është organi më i lartë që drejton veprimtarinë politike të PDSH në periudhën midis dy Kuvendeve." u shpreh Paloka.
Nesër Këshilli i ri Kombëtar i thirrur nga "Rithemelimi" do të zgjedhë dhe kryetarin e saj. Sipas Palokës, duhet të jenë të paktën dy alternativa për t'u votuar nga Këshilli Kombëtar. Dy emrat më të përfolur deri tani janë ai i Edi Palokës, i cili e ka drejtuar këtë organ deri në shkarkimin nga Basha, dhe emri i Jozefina Topallit, e cila u rikthye tek Kuvendi i 30 Prillit në PD.