
PD e cilëson fatkeqësi faktin që mazhoranca nuk miratoi rezolutën e vet me 10 pika për përballimin e krizës së çmimeve.
“Sot qytetarët shqiptarë janë në kushte mbijetese. Sot Shqipëria është ngritur në protestë nga keqmanaxhimi dhe nga korrupsioni. Megjithë këtë krizë të thellë deputetët e mazhorancës refuzuan:
- Uljen në 6% të TVSH për mallrat e shportës bazë, propozim konsistent i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike;
- Pezullimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit dhe kthimin e saj në nivelet e 8 viteve më parë, në masën 7 lekë për litër nga 27 lekë/litër aktualisht, duke eleminuar taksën Rama mbi karburantin;
- Shkurtimin e menjëhershëm të shpenzimeve operative të qeverisjes qëndrore me të paktën 25% të buxhetit të planifikuar për këtë zë për vitin buxhetor 2022;
- Dyfishimin e menjëhershëm të ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë dhe jo thjesht trajtimin financiar të tyre për një periudhë afatshkurtër 3-mujore;
- Rritjen e menjëhershme të pensioneve me dyfishin e indeksimit të parashikuar nga vetë qeveria, duke filluar nga 1 Prill 2022;
- Rritjen e pagës minimale në masën 36,000 (tridhjetë e gjashtë mijë) lekë në muaj duke filluar nga 1 Prill 2022;
- Pezullimin e menjëhershëm të pagesave buxhetore për PPP-të dhe koncesionet, vecanërisht ato të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprimtari korruptive;
- Rritjen e subvencionimit ndaj fermerëve në masën 100 milion euro/vit me qëllim rritjen e prodhimit dhe uljen e kostove të tyre, për t’i bërë produktet shqiptare konkurruese në rajon;
- Kryerjen e një hetimi të thelluar dhe gjithëpërfshirës nga Autoriteti i Konkurrencës, si dhe marrjen e masave urgjente në përputhje me ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”;
- Raportimin nga Autoriteti i Konkurrencës përpara Kuvendit të Shqipërisë brenda një afati 30-ditor nga data e miratimit të kësaj rezolute, lidhur me konkluzionet e hetimit, masat e marra dhe zbatimin e tyre në praktikë”, - tha përmes një postimi, kreu i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj.