Monika Kryemadhi nga Kuvendi ka ngritur shqetësimin për situatën e çmimeve në vend. Kryetarja e LSI tha se 40% e popullsisë shqiptare jeton nën minimumin jetik, ndërsa sipas saj paketa e rezistencës së ndërmarrë nga qeveria nuk mjafton.
Kryetarja e LSI tha para deputetëve se i ka mbërritur një video me ministrat e qeverisë në Dubai, ku siç thekson ajo në fytyrat e tyre nuk shihej dhimbja për luftën apo krizën.
“Një furrnellë nuk mund të zgjidhë hallet e shqiptarëve. Çmimi i bukës është rritur me 20 lekë dhe është ulur pesha.
Realisht mbi 40% e popullsisë shqiptare jeton nën minimumin jetik. Më 24 shkurt ju kam thënë që lërini këto deklarata përkrahëse, se me thënë të drejtën se deklaratat në parlamentin tonë ishin më të forta se të Biden dhe shefit të NATO-s që dënonin sulmin në Ukrainë, por kam kërkuar të mblidhet Këshilli i Emergjencës pasi pasojat do t’i ndjenim në bukën e përditshme.
Jo më larg më erdhi një video nga Dubai, për EKSPO-n 2020, që ishte vizita e qeverisë tonë të famshme me gjithë kolegët deputetë dhe ministra. Nuk shikoja ndonjë fytyrë që vuante dhimbjen e luftës së Ukrainës apo dhimbjen e çmimeve të naftës dhe situatës ku ne ndodhemi, por përkundrazi shihja një ekzaltim të jashtëzakonshëm", tha Kryemadhi.