Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes së sotme me drejtuesit e qarqeve, ka dhënë një prononcim për gazetarët, ku ndër të tjera është pyetur edhe për faturat ku biznesmeni Klodian Zoto i ka paguar udhëtimet dhe hotelet luksoze ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj në kohën kur ishte ministër Financash, duke e implikuar direkt në çështjen e inceneratorëve.
Por, gjatë replikës me me gazetaren e Syri TV, Ambrozia Meta, kre u i qeverisë e ka "thumbuar" televizionin ku ajo punon. Rama i tha se pse nuk i pyet politikanët e tjerë që janë pranë atij televizioni, në lidhje me paditë që depozitohen ndaj tyre duke iu referuar kreu të Partisë së Lirisë, Ilir Metajt.
"Në media janë publikuar edhe gjëra të tjera që lidhen me adresime të individëve, të grupeve, të faktorëve të caktuar drejt SPAK-ut. Edhe për politikanë të cilët ju i keni pranë edhe për të cilët nuk më rezulton që të keni pyetur ndonjëherë mua dhe as ata."- tha Rama.
Kujtojmë se ndaj Ilir Metajt, janë depozituar në SPAK disa padi ku akuzohet për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. Paditë kanë të bëjnë me ndërhyrjet estetike në klinika jashtë vendit apo edhe për lobime që kapin vlerën e qindra mijëra eurove.