Rama e krahason Kurtin me Oso Kukën: Është ngujuar në kullë dhe po lufton heroikisht me perandoritë!

7 July 2023, 17:08Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama e krahason Kurtin me Oso Kukën: Është ngujuar në
Kryeministrat Edi Rama dhe Dritan Abazoviç gjatë deklaratës për media

Kryeministri Edi Rama e ka krahasuar Albin Kurtin me heroin Oso Kuka, për të cilin ka thënë se si ai, është mbyllur në kullë dhe po lufton heroikisht me perandoritë e mëdha.

Rama tha se vendet e Ballkanit janë të vogla për të qenë të ndara, ndërsa edhe nga mendësitë janë po njësoj. Gjatë deklaratës së përbashkët me kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç, Rama u shpreh se rajoni duhet të lë pas mendësitë dhe fantazmat e së shkuarës, dhe t’i kthehet bashkëpunimit.

“Kurdëgjon gazetarët e këtyre vendeve duket sikur jeton në një sofër dhe jemi të gjithë pjesë e një mendësie. Ky është një moment ku duhet të luftojmë edhe me mendësitë e vjetra, për të luftuar me fantazmat e së shkuarës, por jo tani të bëjmë Oso Kukën nga e para të futemi në kulla, dhe të na kërkojnë të këndojmë për Oso Kukën e ri. Unë jam në sinkron të plotë kur ndodhin edhe këto situata absurde si në Veriun e Kosovës. Ne jemi të ndarë dhe jemi shumë të vegjël si tregje”, u shpreh Rama.

Duke bërë batuta me gazetarët, Rama i pyeti ata nëse e njohin Oso Kukën, heroin shkodran që u hodh në erë brenda kullës së tij, duke vrarë shumë ushtarë malazezë.

“E njihni ju Oso Kukën këtej nga Mali i Zi apo jo? Keni me siguri ndonjë Oso Kukoviç që është futur në kullë ka luftuar me të gjitha perandoritë dhe është vrarë heroikisht”, deklaroi Rama.

Rama ndodhet në Mal të Zi në kuadër të turit të tij ballkanik që do të përmbyllet ditën e nesërme me vizitën në Beograd.


Video