Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak. Sipas zyrës së shtypit të qeverisë britanike, fokusi i bisedës ka qenë bashkëpunimi ekonomik, por edhe sfidat e emigracionit të paligjshëm në Evropë.
Sipas zyrës së shtypit të qeverisë britanike dy liderët biseduan edhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, por edhe situatën në Lindjen e Mesme.
“Kryeministri Rishi Sunak ka folur paraditen e sotme me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Ata diskutuan për marrëdhëniet e ngushta mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, duke vënë theksin tek bashkëpunimi i rëndësishëm dypalësh, në tregti dhe investime.
Kryeministri theksoi progresin e fortë të bërë nëpërmjet partneritetit Britani e Madhe-Shqipëri për migracionin. Të dy liderët pranuan se duhet më shumë punë për të trajtuar sfidën e migracionit të paligjshëm në Evropë dhe mezi prisnin ta diskutonin këtë më tej, në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Britaninë e Madhe në muajin korrik.
Ata nënvizuan rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë.
Duke iu kthyer situatës në Lindjen e Mesme, liderët diskutuan rëndësinë e trajtimit të rritjes së antisemitizmit në të gjithë globin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta të tolerancës dhe respektit”, shkruan zyra e shtypit e qeverisë britanike./VoxNews