Qeveria nuk tërhiqet, ministrja e Financave: Do vijojmë ta mbajmë Bordin e "Çetit"

19 August 2022, 09:50Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria nuk tërhiqet, ministrja e Financave: Do vijojmë ta mbajmë
Biznesmeni Shefqet Kastrati

Pavarësisht akuzave të opozitës në adresë të Bordit të Transparencës se nuk po mbron interesin qytetar, por edhe kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar për shkrirjen e kësaj strukture, qeveria duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha dje se Bordi për monitorimin e çmimit të karburanteve do të vazhdojë të funksionojë.

Në një intervistë për “Tv Klan”, ministrja pohoi se nuk do të merret një vendim për shkrirjen e tyre për shkak, sipas saj, të paqëndrueshmërisë së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Për sa kohë që jemi në kushte të një pasigurie për ecurinë e çmimeve, të energjisë në përgjithësi dhe të karburanteve në veçanti, ne do të vijojmë të mbajmë bordet”.

Ibrahimaj siguron se marzhi i fitimit si për tregtimin me shumicë, ashtu dhe atë me pakicë, është i kontrolluar, ndërsa nëse bordi do të shkrihej abuzimet do të ishin të mëdha.

“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për marzhet e fitimit në situata normale. Por, në situata spekulimi, në situata ku pritshmëritë dhe pasiguritë janë të larta, këto marzhe mund të rriten akoma më shumë”.

E pyetur përse nuk ka një reflektim të menjëhershëm të uljes së çmimit në pikat e tregtimit me pakicë në vend kur kjo ndodh në bursat ndërkombëtare ndërsa krejt e kundërta ndodh kur ka rritje të çmimit në këto bursa, Ibrahimaj shpjegon se bordi ka si pikë reference çmimet e naftës së përpunuar dhe jo çmim të naftës bruto në bursë.

“Mundohemi që sa herë që çmimi i bursës të ulet, të mblidhemi në mënyrë të menjëhershme, ndërkohë që e shtyjmë mbledhjen kur çmimet rriten me qëllim që çmimet në treg të jenë sa më të ulëta”.

Bordi i Transparencës, si për karburantet, ashtu dhe ushqimet, u ngritën në mesin e marsit me akt normativ për të kontrolluar tregjet në mesin e një krize ndërkombëtare të diktuar nga ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë.


Video