Athina intensifikon përpjekjet për lirimin nga paraburgimi të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit.
Kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakojanis, mbërrin këtë të hënë në Himarë për t’iu bashkuar tubimit të organizuar nga “Omonia” për lirimin, betimin dhe marrjen e detyrës së kryebashkiakut nga Beleri.
Tubimi do të mbahet në orën 18:00 në Pedonalen Qendrore të Himarës dhe vjen në kuadër të skadimit të afatit tremujor të parashikuar nga ligji zgjedhor për betimin e Belerit.
Kalimi i afatit do t'i mundësojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të vijojë me përsëritjen e zgjedhjeve.
Omonia, me anë të një njoftimi në rrjetin social Facebook, shkruan: “Është nderi dhe gëzimi ynë i madh që kryetari i Bashkisë së Athinës, Kostas Bakojanis, do të marrë pjesë në këtë përpjekje me praninë e tij, duke kontribuar praktikisht si person i Vetvetes. Qeveria, për respektimin e institucioneve demokratike. Gjithashtu duam të falënderojmë të gjitha komunat për mbështetjen dhe mbështetjen praktike . Na mbushin me forcë dhe optimizëm. Nuk do ta harrojmë kurrë”.
Të premten, Beleri u vizitua në ambientet e paraburgimit nga deputeti grek i partisë Demokracia e Re, Angelos Syrigos. Ky i fundit u paralajmëroi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë mund të prishen nëse Beleri nuk betohet si kryebashkiak.
Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë lekë për vota.
E ndërsa sot në Himarë protestohet për lirimin e Belerit, po përfundon edhe afati i tij për t’u betuar si kryebashkiak. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë më herët ka thënë se afati për t'u betuar është tre muaj, ndërsa shtonte se për aq kohë sa nuk ka vendim të formës së prerë, Beleri mund ta marrë mandatin e kryebashkiakut.