Ka nisur sot shkatërrimi i një prej parqeve të pakëta të Tiranës, ai pas Teatrit të Operas dhe Baletit, për t'i hapur rrugë ndërtimit të një kulle 65-katëshe të lartë.
Lëvizja Bashkë, që e ka protestuar këtë projekt prej disa ditësh tashmë, thotë se të gjitha palët e politikës janë të përfshira në investimin mbi 100 milionë dollarësh që pritet të bëhet aty.
"Më tutje Sali Berisha e Ilir Meta, dordolecë politikë pa zë e pa karakter, të blerë nga Rama dhe okigarkët që e rrethojnë", shkruan Lëvizja Bashkë në rrjetet sociale.
Ata shprehen se ka ende shpresë për mbrojtjen e parkut dhe ndalimin e ndërtimit të kësaj kulle.
Mesazhi i Lëvizjes Bashkë:
BARBARËT KANË NISUR PRISHJEN E PARKUT
Mbrëmë fadromat e kompanisë Nova Construction kanë nisur prishjen e parkut pas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Fill pas hakërrimit të Ramës, që i dilte për zot krimit ndaj qytetit, nisi prerja e pemëve dhe përgatitja e truallit për të ngritur përbindëshin më të lartë në qendër të Tiranës.
Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se pas këtij uzurpimi dhe shkatërrimi është i përfshirë krejt sistemi i vjetër politik. Në radhë të parë Edi Rama dhe Erion Veliaj, bashkautorë të sa e sa krimeve ndaj qytetit. Më tutje Sali Berisha e Ilir Meta, dordolecë politikë pa zë e pa karakter, të blerë nga Rama dhe okigarkët që e rrethojnë.
Mbrojtja e parkut është ende e mundur. Lëvizja BASHKË do të vazhdojë ta ngrejë zërin e protestës dhe do të thërrasë në krah të saj të gjithë qytetarët, jeta e të cilëve po bëhet e padurueshme nga zaptimi i hapësirës publike, zhdukja e parqeve, ndotja e ajrit, kapja e shtetit dhe kriminalizimi i ekonomisë.
Në Shqipëri nuk mund të ketë vend edhe për qytetarët, edhe për krimin e organizuar. O do të fitojmë ne dhe krimi do të kthehet në gjirize, o do të fitojnë ata dhe ne do të marrim gomonet.
Rrugë tjetër s'ka!