Zëdhënësja e Berishës reagon për kullën, Garo: Ilir Shtufi s'ka dhënë asnjë qindarkë për Foltoren, nuk kemi heshtur

12 August 2023, 15:10Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zëdhënësja e Berishës reagon për kullën, Garo:
Floriana Garo / Kulla "Mali i Tiranës"


Zëdhënësja e Partisë Demokratike të Rithemeluar, Floriana Garo ka reaguar lidhur me debatin dhe akuzat për ndërtimin e kullës 65-katëshe "Mali i Tiranës".

Garo akuzon mediat si gjobëvënëse teksa i kërcënon se do t'i padisë në gjykatë për shpifje, pasi sipas saj, bizmesmeni që qëndron pas ndërtimit të kullës, Ilir Shtufi, nuk e ka financuar "Foltoren" e Sali Berishës.

Ajo thotë më tej në reagimin e saj, se Sali Berisha dhe PD kanë qenë dhe mbeten kundër ndërtimit të kullave, dhe se Berisha nuk ka heshtur për ndërtimin e tyre.

Vlen të theksohet se në media është përfolur se Ilir Shtufi ka lidhje të ngushta me Shkëlzen Berishën, i cili prej disa vitesh tashmë jeton me një qira simbolike prej 2 mijë euro, në vilën superluksoze në kompleksin "Rolling Hills".
Shkëlzen Berisha ka reaguar duke thënë se nuk ka dijeni për asnjë lloj biznesi që bën pronari i vilës së tij, qiranë e të cilës e  paguan Armina Mevlani.

Reagimi i plotë i Floriana Garos:

Në malin e shpifjeve të mediave gjobëvënëse, dhe të tjerave të kontrolluara nga qeveria përmes tenderave, këto dite është përsëritur pa asnjë fakt, dokument, apo provë se pronari i Kullës Mali i Tiranës ka qenë financues i Foltores dhe ka blerë heshtjen e Partisë Demokratike dhe të Sali Berishës.

Lidhur me ketë shpifje Zëdhënësja e Partisë Demokratike deklaron:

1- ndërtuesi i Kullës Mali i Tiranës, biznesmeni Ilir Shtufi kurrë nuk ka dhënë dhe kurrë nuk i është kërkuar qoftë edhe një qindarkë për financimin e Foltores. Ata të cilët paguhen për gjobëvënie me trillime si pjesë e luftës së klaneve brenda PS do të kenë mundësi të “provojnë” shpifjet e tyre në gjykatë.

Partia Demokratike dhe Sali Berisha kanë qenë dhe janë kategorikë kundër ndërtimit të qiellgërrvishtësve, kullave në qytet.

2. Sali Berisha dhe PD në pushtet nuk kanë dhënë asnjë leje dhe nuk kanë lejuar të ndërtohet asnjë kullë në Tiranë apo në ndonjë qytet tjetër të vendit dhe janë zotuar se nesër në pushtet do të mbajnë të njejtin qëndrim.

Shpifësit e paguar, të zhveshur nga çdo lloj morali e dinë mirë se Plani Urbanistik i Tiranës i miratuar dhe firmosur ne vitin 2013 nga Sali Berisha, ka të planifikuara në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës vetem ndërtime 6-8 katëshe dhe asnjë më të lartë se kaq.

3. Është shpifje dhe trillim i ulët pretendimi se PD dhe Berisha kanë heshtur për kullat ndërkohë që në mënyrën më të përsëritur janë shprehur kundër ndërtimit te tyre dhe i kanë denoncuar me qindra herë si monumente të shëmtuara te korrupsionit dhe drogës, si përbindësha që i marrin frymën qytetit dhe përkeqësojnë ndjeshëm mjedisin e jetesës së qytetarëve.

Njësoj edhe për Malin e Tiranës është kërkuar publikisht nga Edi Rama anullimi i menjëhershëm i lejes dhe i janë adresuar gjykatës!


Video