Pasi humbjes katastrofike më 14 maj, ku Koalicioni “Bashkë Fitojmë” mori vetëm 7 bashki nga 61 në total, ish-kryeministri Sali Berisha tha se do të votëbesohet në Kuvend, ashtu siç e përcakton statuti i Partisë Demokratike.
Por sot, kur kanë kaluar 3 muaj nga zgjedhjet vendore, Berisha ka harruar statutin dhe ka deklaruar se nuk do të votëbesohet në Kuvend, por ka dalë me një tjetër tezë.
Për Berishën, qëndrimi i tij ose jo në krye të Partisë Demokratike, do të vendohet me anë të një referendumi, mirëpo nuk ka asnjë datë konkrete se kur do të ndodhë kjo.
“Unë nuk votëbesohem në Kuvend, por në referendum. Do të caktohet një datë. U bë mbledhja e kryesisë, u bë mbledhja e Këshillit Kombëtar, u miratua rezoluta. Tani duhet të mblidhet kryesia dhe duhet të përcaktojë agjendën e veprimeve. Është i pashmangshëm. Votëbesimi është ligj absolut, kjo është”, tha Berisha.
Statuti i Partisë Demokratike parashikon se në rast të humbjes së zgjedhjeve vendore, kryetari i Partisë do duhet të votëbesohet, e ndërsa për humbjen në zgjedhjet parlamentare do duhet të japë dorëheqjen.