Protesta e opozitës, ‘provokon’ Peleshi: Për çfarë dalin? I përgjigjet Bardhi: Po tregojnë sa të pafytyrë janë!

4 Tetor 2024, 15:44Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Niko Peleshi/ Gazment Bardhi

Teksa ka zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Socialiste në qarkun e Korçës, drejtuesi politik i PS-së në këtë qark, Niko Peleshi ka komentuar protestën e opozitës që pritet të mbahet ditën e hënë.

Kur u pyet nga gazetarët në lidhje me këtë protestë, Peleshi edhe pse tha se nuk komentonte aksionin e opozitës, shtoi se ajo po bëhet për të kundërshtuar një vendim të formës së prerë nga ana e Gjykatës.

Menjëherë pas prononcimit të Peleshit, një reagim ka ardhur nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Ky i fundit, foli edhe njëherë për arsyet e aksionit të opozitës, duke pretenduar se maxhoranca ka shkelur vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe po tenton që të kontrollojë drejtësinë. 

"Nuk ka vendim më të lartë përfundimtar dhe pa asnjë mundësi rishikimi sesa vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Partia Socialiste refuzoi 2 herë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke mos pranuar të dorëzojë para drejtësisë bashkëpunëtoren e Edi Ramës, ish-ministren dhe deputeten Olta Xhaçka. Nga ky moment, përrallat me 140 vota për Reformën në Drejtësi, përrallat me respektin ndaj drejtësisë së pavarur apo vendimet e gjykatave, të thënë nga goja e tyre që kanë zhbërë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, provojnë sesa të paftyrë që janë. Nuk mund të ketë një drejtësi me telekomand kundër opozitës, dhe një drejtësi që injorohet kur godet bashkëpunëtorët e Edi Ramës. Që nga momenti që Kushtetuta u gris për llogari të korrupsionit të Olta Xhaçkës, çdo grimcë e respektit ndaj shtetit ligjor, zhduket. Është detyrë dhe mision i opozitës që të reagojë ndaj tentativës së Partisë Socialiste për të zhbërë shtetin ligjor, dhe për të instaluar shtetin personal të Edi Ramës,"-tha Bardhi në reagimin e tij.

Prononcimi i Peleshit:

Maxhoranca a do i hapi krahun opozitës në këtë situatë të trazuar tashmë?

Peleshi: Maxhoranca përgjigjet për sjelljen e vetë politike, ligjore, natyrisht për raportet e veta me institucionet kushtetusese siç është parlamenti dhe besoj se nuk është në diskutim maxhoranca për momentin, ne jemi në detyrë, jemi në kuvend, respektojmë kuvendin dhe bëjmë detyrën. Trazirat apo ngjarjet e fundit të pa hijshme për sjelljen politike në kuvend, besoj duhet të pyesni opozitën. Mua nuk më vjen mirë, nuk dua të bëj këtë ndarje ne dhe ata sepse në fund të fundit jemi koleg, nuk më vjen mirë jo për 20-24 po qoftë edhe për një deputet të jetë i përjashtuar ose sekretariati të ketë qenë i detyruar ta përjashtojë nga seanca, por jo çdo gjë është në dorën tonë.

Të 24 të përjashtuarit ishin aktiv, apo ishin më pak?

Peleshi: Me këtë nuk merret grupi parlamentar i Ps që unë drejtoj, është një çështje e strukturave të kuvendit, konkretisht sekretariatit për etikën, që merr në shqyrtim provat dhe merr vendim, nuk mund të pyetem unë për këtë. Unë ju thash personalisht, dhe grupit tonë nuk i intereson të ketë një seancë jo normale apo me përjashtime. Ne duam të kemi një seancë normale, me debat të fortë por brenda disa vijave të kuqe. I vetmi problem që shohim në politikën e këtyre viteve është kuptimi i vijave të kuqe. Të debatojmë, por jo të dalim përtej. Ajo që ndodhi ishte e pa precedent, por ne nuk duam ta kemi prezent dhunën në parlament dhe ta eskalojmë nga një krizë ndërpartiake tek tjetra. Këto janë mendimet tona jo vetëm personale por edhe të grupit parlamentar, nuk është dëshira jonë te ketë një parlament të pastabilizuar.

Protestat e të hënës, për qeveri teknik, a do jetë e gatshme maxhoranca për të pranuar kërkesat?

Peleshi: S’mund të komentoj çfar vendos opozita, protesta është një element demokratik nuk është një erezi. Protesta e dhunshme pastaj është diçka tjetër, por unë nuk mund ta paragjykoj. Protesta është zgjedhja e tyre, kërkesat politike ata mund t’i formulojnë sipas orekseve politike të veta por unë nuk shikoj se ka ndonjë arsye që të vihet në diskutim qeveria. Për ç’arsye, për shkak të një vendimi të formës së prerë të një sistemi të pavarur nga qeveria? A po flasim pasi kemi kryer së bashku një reformë në drejtësi? E kemi votuar me 140 vota me duartrokitje. Tani të gjykojmë ne vendimet e gjykatave? Për këtë arsye të dali në protestë?

Në 7 tetor, ora 18:00, PD ka thirrur një protestë në Tiranë, e cila pritet të nisë para godinës së kryeministrisë, por është paralajmëruar se grupe protestuesish do të bllokojnë akset rrugore, kryqëzimet apo arterie rrugësh, në një formë të mosbindjes civile. Aksioni i opozitës u përshpejtua pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, ndërsa prej kohësh Partia Demokratike, ka shpalosur kërkesën e saj për qeveri teknike, përpara zgjedhjeve që do të mbahen në Maj të vitit të ardhshëm.

Video