Policia nuk dha leje për protestën, reagon PD: Nuk i marrim leje askujt në Shqipëri për të protestuar

26 November 2022, 00:00Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policia nuk dha leje për protestën, reagon PD: Nuk i marrim leje
Protesta e opozites

Policia e Shtetit i dha një përgjigje negative Partisë Demokratike në lidhje me kërkesën e saj për organizimin e protestës së saj në 6 dhjetor në Tiranë, ditë në të cilën do të mbahet dhe samiti i liderëve të BE me Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se për shkak të samitit dhe rregullave të sigurisë që duhet të zbatohen për të, ku do të bllokohen dhe shumë akse rrugore, nuk mund të japë leje për një organizim të tillë, siç ka kërkuara dhe opozita.

Në një letër që kreu i policisë së Tiranës, Lorenc Panganika i drejtoi PD-së thuhet se ajo “cenon sigurinë” për shkak të mbajtjes së samitit të BE-së.

Por Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka thënë për ”Klan News”, se protesta është e drejtë e fituar që në dhjetor ’90. Sipas tij askush s’mund të ndalë të drejtën për të protestuar.

“Protesta është e drejtë demokratike e fituar që në dhjetor të ’90. Askush s’mund të ndalë të drejtën për të protestuar. Nuk i marrim leje askujt në Shqipëri për të protestuar. Në bazë të ligjit njoftojmë se protesta do të bëhet do apo nuk do regjimi”, tha Noka.


Video