Është shpallur kandidatura e parë për primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e Korçës, ku do të zgjidhet kandidati për zgjedhjet lokale që mbahen më 14 Maj të vitit që vjen.
Bëhet fjalë mjekun gjinekolog Gjergji Gjata, i cili ka plotësuar formularin ditën e sotme duke e dërguar në PD-në qendrore. Mjeku Gjergji Gjata është një person që gëzon respekt si në PD-në e Korçës, por edhe në komunitet, teksa është lakuar si kandidat i mundshëm i PD-së për Bashkinë e Korçës edhe gjatë vitit 2018, por në zgjedhjet lokale të 2019-tës, PD i bojkotoi.
Afati për aplikim në primaret e PD-së së Korçës përfundon nesër në orën 18:00.
Burime bëjnë me dije se në shumë grupseksione të kësaj dege është propozuar edhe emri i rektorit aktual të Universitetit të Korçës Dhimitër Bello. Gjithashtu, si kandidate në primare janë përfolur edhe emrat e dy ish-deputeteve Ledian Aliolli dhe Eleina Qiriçi, si dhe emri i Irvin Bodes.
Gjithsesi, asnjëri prej 4 emrave të mësipërm nuk e ka konfirmuar zyrtarisht. Nga grupseksionet janë propozuar edhe emra të tjerë. Kandidatet që do pranojnë të futen në garë duhet të plotesojne formularin e kandidimit, ndërsa ata që nuk do pranojnë të futen në garë, do plotësojnë një formular refuzimi si kundër është procedura e PD.
Për Pogradecin emrat e propozuar nga baza janë: Genti Çela, Zihni Tollozhina, Eduart Kapri, Oligert Muçllari, Bajram Fezollari.