Nga Berisha, tek emri në fletën e votimit dhe vrasja në Shëngjin/ Gjiknuri flet pas takimit me Glover

21 April 2023, 18:25Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nga Berisha, tek emri në fletën e votimit dhe vrasja në
Damian Gjiknuri

Ndalesa e radhës e shefes së OSBE-ODHIR, Audrey Glover, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit, ka qenë në selinë e Partisë Socialiste.

Ajo ka zhvilluar një takim me sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknurin. Më herët Glover është takuar me presidentin Begaj, kryeministrin Rama dhe përfaqësuesit e partive opozitare, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha.

Pas përfundimit të takimit, Gjiknuri në një prononcim për mediat, ka ironizuar betejën mes opozitës, ku koalicioni "Bashkë Fitojmë" kërkon që në fletën e votimtit të vendoset emri i Sali Berishës, ndërsa KAS dhe PD e Alibeajt kërkon që të vendoset emri i Ilir Metës.

"PD e ka ankimuar. Unë nuk e kuptoj pse fshihen nga emrat, kur martesa është publike? E fsheh partneri partnerin? Nuk e kuptoj këtë gjë, nuk e di anën politike të kësaj, por besoj se ata duhet të krenohen me emrin e Ilir Metës në fletën e votimit. Nuk e di pse mërzitën këta të foltores. Ligji e ka përcaktuar, nuk është çështja të vendosim një emër, të gjejmë një emër. Ligji e ka përcaktuar që partia udhëheqëse e koalicionit dhe detyrimet ligjore i përmbush partia udhëheqëse e koalicionit. Tani, nuk të pëlqen partneri që u martove politikisht, këtë nuk e shpjegoj dot. Duhew t’ia spjegojnë ata anëtarësisë së tyre apo mbështetësve të tyre."

Në lidhje me takimin me Glover Gjiknuri tha se shefja e OSBE-ODIHR nuk pati asnjë mesazh të veçantë për mazhorancën.

"Janë të interesuar për ndekjen dhe mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore. Ishte një mision i marrjes së opinioneve lidhur me çështje që ata i konsiderojnë të rëndësishme për fushatën që lidhen me financimin, qetësia,  mbarëvajtja e fushatës, aksesi i palëve në sistemin juridik shqiptar, aksesi në media. Nuk kishte asnjë mesazh të veçantë, janë të interesuar të dëgjojnë të gjithë pikëpamjet e partive për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore".

Gjiknuri shtoi më tej se |Glover opinionet paraprake i ka pozitive.

"Nuk paraqitën ndonjë shqetësim. Fushata ka qenë e qetë përgjithësisht. Patëm pyetje në lidhje me vendimmarrjen e KQZ, listën e zgjedhësve. Por lista e zgjedhësve është metodologji e dakordësuar nga KQZ, e bërë nga KQZ me dakordësine e gjithë palëve politike për të mos u ndarë familjet dhe për ti patur zgjedhësit në një godinë".

Gjiknuri nuk preferoi të japë një koment lidhur me takimin e Glover me Berishën por konfirmoi se është fakt që ai garon në këto zgjedhje.

"Se komentoj fare, nuk më intereson. Ata janë këtu për të biseduar më të gjithë palët që garojnë, e dimë që Meta dhe Berisha garojnë së bashku, nuk e mohojmë. Martesa e tyre është martesa e re me personazhe të vjetra që po u del shqiptarëve si ofertë politike. Janë ata që vendosin por besoj se shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre tashmë".

Pastërtia e figurës së kandidatëve ka qenë një nga shqetësimet e ODIHR. Qerim Ismailaj i PS-së është kontestuar nga PD, por Gjiknuri tha se Glover nuk e preku këtë temë në takim.

"Nuk e preku këtë temë dhe kjo temë është nën shqyrtim të organeve ligjore shqiptare, ligji është në veprim. Palët ankohen, organet japin vendimet e tyre".

Një koment pati edhe për ngjarjet kriminale në nisje të fushatës, shpërthimin në Vaun e Dejës dhe vrasjen në Shëngjin.

"Nuk e di që këto të jenë të motivuara politikisht apo të kenë lidhje me politikën. Do të ishte spekulim që ti vinim etiketime politike ngjarjeve kriminale. Shpresojmë që ngjarjet të zbardhen edhe për të hequr çdo spekulim të kësaj natyre".


Video