Brahimllari dhe Luan Rama thirren në SPAK, japin llogari për lobimin e Meta-Kryemadhi në SHBA

20 Prill 2023, 10:53Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Nënkryetari i Partisë së Lirisë Endrit Braimllari dhe ish deputeti, Luan Rama

Autoritetet amerikane u janë përgjigjur prokurorëve të SPAK në lidhje me letërporosinë për dosjen hetimore të lobimeve të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas marrjes së përgjigjes nga pala amerikane, SPAK ka thirrur për të marrë në pyetje ish-Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama dhe Sekretarin aktual të përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari.

Luan Rama ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe të nënkryetarit të LSI-së deri kur u tërhoq nga politika pas zgjedhjeve të 2013-s, ndërsa Endrit Braimllari është sekretari aktual i Partisë së Lirisë.

Në SPAK janë dy kallëzime për çështjen e lobimit në SHBA. Në gusht të vitit të kaluar, prokurorët morën nën hetim Ilir Metën për 690 mijë dollar lobim në vitin 2017-të, ku pagesa është kryer nga kompania Dorelita Limited, e regjistruar në Qipro. Meta po hetohet për veprat penale të korrupsionit dhe falsifikimit të formularëve.

Procedimi tjetër penal përfshin veç Metës edhe Monika Kryemadhin, deputetin Petrit Vasili, ish-ministrin Edmond Panariti, ish-kandidaten për deputete, Elona Guri, biznesmenin Muharrem Berisha.

Në kallëzimin thuhet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave që rrjedhin nga korrupsioni dhe vjedhja e pasurive publike, ku në krye të kësaj skeme qëndron çifti Meta-Kryemadhi. Procedimi penale është regjistruar për fshehje pasurie, korrupsion dhe pastrim parash.


Video