Më 2015-ën akuzonte Metën për aferën CEZ-DIA, sot Berisha thotë se "nuk ka dijeni për çështjen"

8 November 2023, 13:25Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Më 2015-ën akuzonte Metën për aferën CEZ-DIA, sot
Ilir Meta dhe Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha, në konferencën për mediat, u pyet nga gazetari i Top News në lidhje me dëshminë e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në SPAK, për çështjen CEZ-DIA.

Berisha tha se nuk ka dijeni për këtë çështje, pasi CEZ ishte kompani private dhe nuk njoftonte askënd për aktivitetet e saj.

TOP NEWS: Më 10 shtator 2015, ju keni deklaruar në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Po ashtu kërkuat asokohe që Prokuroria të hetonte Ilir Metën. Nga ana tjetër Meta ju përgjigjej ju me të njëjtën monedhë, duke kërkuar hetim ndërkombëtar dhe se Kastriot Ismailaj, ishte i besuar i juaj. Po sot çfarë qëndrimi keni për çështjen Cez/ Dias, a u qëndroni akuzave ndaj Metës nëse do të thirreni dhe ju si person në dijeni?!

Berisha: Nuk kam pasur dijeni për këtë çështje. CEZ nuk njoftonte asnjë nga aktivitetet e tij, sepse ishte firmë private. Nuk kam dijeni dhe sot se cilat janë lidhjet e Metës në këtë histori.

CEZ-DIA është hetuar në mënyrë intensive. Ish-presidenti i kompanisë është arrestuar dhe një grua mesa di unë. Nuk kam asnjë dijeni më tepër nga ç’kam thënë. Nuk di të jenë bërë negociata në emër të qeverisë.

Çfarë deklaronte Berisha më 2015 në parlament

Pasi Meta u bashkua me PS, në vitin 2015, Sali Berisha e ktheu në kauzë çështjen CEZ-DIA. Në shtator 2015, kreu demokrat Sali Berisha deklaronte në parlament se ish-presidenti Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë.

Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qenë mbledhja e borxhit për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, në bashkëpunim me CEZ.

Ismailaj paraqiste fatura fiktive, merrte paratë nga CEZ dhe më pas CEZ favorizohej nga qeveria e asaj kohe.


Video