Berisha kundër paktit me Italinë për refugjatët: Bie ndesh me Kushtetutën

8 November 2023, 12:39Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha kundër paktit me Italinë për refugjatët: Bie ndesh
Ish-kryeministri Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp këtë të mërkurë tha se marrëveshja e Edi Ramës me kryeministren Giorgia Meloni për emigrantët është në kundërshtim me Kushtetutën. Ai theksoi se ajo për përgatitur në mënyrë sekrete dhe kjo e bën atë të dëmshme dhe të papranueshme.

“Për Shqipërinë Italia është partneri kryesor i bashkëpunimit bilateral dhe i shkëmbimeve më intensive në të gjitha fushat. Shqipëria ka me Italinë një marrëveshje të firmosur vite më parë në bazë të së cilës Italia kthen në Shqipëri çdo refugjat nga vendet të treta që kalon nga Shqipëria në Itali. Për PD marrëveshja e djeshme surprizë e firmosur në Romë nga kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama pas një përgatitjeje sekrete është e dëmshme, e paparanueshme për arsyet që vijojnë. Marrëveshja nxit në Shqipëri një valë shumë të dëmshme ksenofobie dhe kjo dëmton rëndë moralin dhe virtytin e mikpritjes së kombit shqiptar. Marrëveshja që ka firmosur dje Edi Rama vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut për të Drejtat e Njeriut”, tha Berisha.

Kryedemokrati tha se “regjimi i Edi Ramës” nuk mund të garantojë respektimin më minimal të të drejtave të refugjatëve.

“PD deklaron se narko-regjimi i Edi Ramës nuk mund të garantojë respektimin më minimal të të drejtave të refugjatëve. Dëshmi e kësaj është keqtrajtimi çnjerëzor me pasoja vdekje i refugjatëve iranianë në kampin e Manzës disa muaj më parë nga policia shqiptare”, tha Berisha.

Sipas tij, kampet e refugjatëve rrezikojnë trafikun kriminal të njerëzve.

“Shqipëria nën narko-regjimin e Ramës është sot vendi me potencialin trafikues më të lartë në Europë. Territori i saj kontrollohet gjerësisht nga grupet kriminale kombëtare dhe ndërkombëtare të trafikut të drogës të lidhura siç faktojnë dekodimet e bisedave dhe mesazheve të enkriptuara në nivelin më të lartë të pushtetit Edi Ramën, Taulant Ballën dhe qeveritarë e zyrtarë të tjerë. Ngritja e kampeve të refugjatëve në territorin e Shqipërisë rrezikon të amplifikojë në mënyrë katastrofale trafiqet kriminale njerëzore, tregtinë e skllevërve, tashmë problematike për vendin tonë”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri komentoi edhe paraqitjen e ish-Presidentit Ilir Meta sot në SPAK. Berisha theksoi se në takimin që ka pasur me të para disa ditësh nuk kanë folur për ato që i quan “procese të turpshme politike”, por për aksionin opozitar.

“Nuk është folur asnjë fjalë për këtë punë, është folur që ta dini ju vetëm për aksionin opozitar. Nuk kemi dyshime që këto janë procese të turpshme politike”, theksoi Berisha.


Video