“Mos flisni dhe postoni pa leje”, Endri Fuga “u mbyll gojën” me kod ministrave

2 May 2022, 14:04Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Mos flisni dhe postoni pa leje”, Endri Fuga “u mbyll
Në foto: Kryeministri Edi Rama dhe zëdhënësi i qeverisë Endri Fuga

Agjensia për Media dhe Informim e drejtuar nga Endri Fuga, ka ndryshuar kodin etik në mbledhjen e fundit të saj në koordinim me qeverinë. Ministrave u ndalohet që të japin fjalime, deklarata për media, e deri te postimet në rrjetet sociale.

Kjo sipas Agjensisë e krijuar rishtazi dhe e akuzuar se dëmton transparencën dhe të drejtën për informim përqëndron veç informacionit të zëdhënësave,edhe daljet publike të ministrave.

Kodi Etik Ministror nuk detyronte ministrat që të koordinoheshin me Zyrën e Komunikimit të Kryeministrit, por sanksiononte ‘marrjen e pëlqimit’ për deklaratat dhe qëndrimet publike për sa kohë është e mundur.

“Në mënyrë që të garantohet bashkërendimi i efektshëm i punës së kabinetit qeveritar, për përmbajtje dhe kohën e të gjitha prononcimeve madhore, fjalimeve, deklaratave për shtyp dhe nismave të reja duhet, për sa është e mundur, të merret pëlqimi i Zyrës së Komunikimit, pranë Këshillit të Ministrave”, thuhej në nenin 15 të Kodit.

Me ndryshimin e bërë, fjalët “… për sa është e mundur, të merret pëlqimi i Zyrës së Komunikimit, pranë Këshillit të Ministrave …” zëvendësohen me “… të koordinohet me agjencinë përgjegjesë për median dhe informimin …”.

Kujtojmë se me ngritjen e Agjencisë për Informim dhe Media, ka reaguar në raportin e progresit edhe Komisioni Europian. KE thotë se agjencia duhet të rrisë transparencën dhe decentralizimin dhe në asnjë mënyrë të bëhet pengesë për gazetarët për akses të barabartë te burimet qeveritare të informacionit.

Ndryshimet e fundit të kodit etik ministror shkojnë në kah të kundërt të rekomandimit të KE-së, duke centralizuar jo vetëm informacionin nga zëdhënësat, por deri edhe në nivel ministrash.


Video