Qeveria ndalon ankorimin e mjeteve lundruese argëtuese te plazhet e marra nga ‘oligarkët’ strategjikë

29 April 2022, 20:48Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Qeveria ndalon ankorimin e mjeteve lundruese argëtuese te plazhet e marra

Qeveria ka miratuar një vendim për vendosjen e stacioneve të mjeteve lundruese për qëllime argëtimi gjatë sezonit të plazhit.

Vendimi thotë se të drejtën për ngritjen e këtyre stacioneve e gëzon çdo person fizik dhe juridik, vendas dhe i huaj, të cilët aplikojnë për vendosjen e stacioneve sezonale të ankorimit/bregëzimit të mjeteve lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, nëpërmjet lidhjes së kontratës së qirasë për funksionimin e këtyre stacioneve.

Vendimi zbatohet çdo institucion publik i ngarkuar, i cili përfshihet në procesin e planifikimit, dhënies me qira ose përdorim dhe monitorimit të stacioneve sezonale të ankorimit/bregëzimit, që në këtë rast janë bashkitë.

Këto stacione sezonale janë përcaktuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ndërsa vendimi i Qeverisë ndalon vendosjen e tyre jo vetëm në plazhet që i janë dhënë privatit sipas ligjit të investitorit strategjik, por edhe te plazhet ku po shqyrtohet mundësia e dhënies së këtij statusi për investitorin.

“Asnjë hapësirë detare dhe sipërfaqe toke në funksion të vendosjes të stacionit sezonal të ankorimit/bregëzimit nuk mund të jepet me qira apo të vihet në dispozicion, kur bie ndesh me kontrata të lidhura, apo në proces shqyrtimi, bazuar në ligjin “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, apo të vënies në dispozicion të pronës investitorëve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit”, thuhet në vendim.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video