
Shënim: Në katër vite që ka nisur, procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë, që nga shkarkimi i parë, ai i Fatos Lulos e deri te ky i fundit i Elisabeta Imerajt është shoqëruar me akuza për ndërhyrje të politikës në vendimmarrjet e dy komisioneve, KPK-së dhe KPA-së.
Por, në asnjë rast në të shkuarën ky proces nuk është cenuar më shumë se sa me vendimin për shkarkimin e prokurores Elisabeta Imeraj, që ndër vite ka kaluar ndër duar disa dosje të bujshme, jo vetëm të krimit, por edhe të politikës.
Pikërisht këto të fundit duket se e bënë ‘kurban’ në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe në këtë rast politika përdori influencën e errët jo vetëm te anëtarët e KPA, por siç rrodhën ngjarjet gjatë procesit të rivlerësimit të saj edhe te operacioni ndërkombëtar i monitorimit.
Imeraj nuk ishte viktimë vetëm e Genta Bungos. Ajo ishte viktimë e politikës. Së pari ishte viktimë e dosjes së lobimit të Lulzim Bashës në SHBA, e ashtuquajtura dosja ‘Nick Muzin’ që shpërtheu pas investigimit të ‘Mother Jones’ dhe nisi hetimet në Shqipëri, ku në dorë këtë dosje e mori Elisabeta Imeraj.
Nisja e hetimeve nga Imeraj shtoi presionin ndaj Lulzim Bashës dhe ishte pikërisht në këtë kohë kur ish-kryetari i Partisë Demokratike sulmonte procesin e vettingut si të kapur nga socialistët, që po e përdornin si mjet për të larguar nga drejtësia profesionistët dhe futur militantët.
Presioni i kësaj dosjeje kushtëzuan piruetat politike të Lulzim Bashës, që Sali Berisha do ta quante më vonë peng të dy dosjeve. Të parën përrmendi pikërisht dosjen e lobimit në SHBA me para ruse. Për Berishën paratë nuk ishin ruse, por ishin para korrupsioni. Dosja e dytë, që përmend ai është dosja belge me Toyota Auris.
Imeraj hetoi dosjen e parë, atë ‘Muzin’. Kundër veç politikës pati edhe klane gjyqtarësh e prokurorësh të sistemit të drejtësisë. Shkarkimi i saj nga KPA, ku u morën parasysh edhe denoncimet e një personi me probleme me shëndetin mendor tregon se vettingu, të paktën në këtë rast, u përdor si mashë për ta larguar.
Jo vetëm kaq, por në këtë rast KPA u përdor si mashë edhe nga mazhoranca...për të nxjerrë gështenjat nga zjarri.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.