Goditja amerikane, përçarja e PD dhe mosha: A ishte ky Kuvendi i rrëzimit final të Berishës?

30 April 2022, 16:21Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Goditja amerikane, përçarja e PD dhe mosha: A ishte ky Kuvendi i
Rrëzimi i Sali Berishës

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike zhvilloi sot Kuvendin e saj Kombëtar. E ndërsa Kuvendi nuk prodhoi asgjë interesante me fjalime propagandistike kundër qeverisë dhe me elozhe për Sali Berishën. Pikërisht, mungesa e një programi, mungesa e një të ardhmeje ndryshe të opozitës, të gjithë vëmendjen e këtij Kuvendi e mori rrëzimi duke vajtur në podium i Sali Berishës.

Por si duhet interpretuar ky incident? Erdhi nga mosha? Ka ardhur koha që Berisha të hapë krahun dhe në krye të PD-së të vijë një emër i ri? Erdhi ngaqë në Kuvendin e Rithemelimit më shumë se gjysma e deputetëve të PD e refuzuan?

Apo ndodhi ngaqë amerikanët i dhanë dje goditjen e radhës?

Le ti marrim me radhë.

Çfarë mund të ofrojë me tepër Sali Berisha në krye të PD-së? Ai ka qenë kryetar i saj de facto edhe gjatë kohës që Lulzim Basha e drejtonte de jure, deri në momentin e thyerjes së shkaktuar nga non grata e SHBA.

Këtë temë e preku sot edhe ish-kandidati për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli. Ai i bëri thirrje Sali Berishës nga Kuvendi që u organizua në Pallatin e Kongreseve që të hapë krahun dhe të largohet nga gara për postin e kryetarit. Ai tha se PD, rrezikon që të drejtohet nga e njëjta elitë, e vjetra duke mos ngjallur shpresë. Rezultati? Për Kadillin është i njëjtë si tani, humbje vitin tjetër dhe në 2025.

“Shpresoj që të gjithë demokratët një ditë të gjejnë kurajën që ka Berisha dhe ta përdorin për të mirë ne Shqipërisë. Jam këtu sepse kam besim se PD do të ndryshojë. Me keqardhje them se ndryshimi nuk do të ndodhë. Ne harruam të diskutonim për të ardhmen tonë. A reflektuam përse përfunduam këtu? A e dënuam degradimin moral ku përfundoi partia jonë. A kemi përqafuar vlera të vërteta?

A po kthehemi në një parti moderne? A kemi reflektuar mbi pushtetin e kryetarit, apo thjesht menduam se kishim udhëheqësin e gabuar dhe tani kemi të duhurin. Nuk jam i bindur nëse këto pyetje marrin përgjigje. Rreziku është që partia të kthehet në 20-30% që tërheq vetëm anëtarësinë, që të kthehemi në parti të huaj nëse reflektimi nuk është i thellë dhe i gjerë. Nuk po shkëputemi nga e shkuara.

Berisha këmbëngul që të bëhet kryetar i kësaj partie dhe kryeministër. Elita e re drejtuese do të jetë ajo që ka qenë në dekadën e fundit, që do të riciklojë të njëjtat ide. Rezultati do të jetë dështimi ynë në zgjedhjet lokale dhe të 2025. PD sot është PD e vitit 2013, koha ka ecur. Berisha të hapë rrugën për një brez tjetër në PD. Edi Rama rrëzohet me parime dhe jo me forcë”, tha ai.

Fjalimi i tij u prit me ironi nga “fajkonjtë” servilë të Berishës.

Një tjetër fakt që tregoi sot Kuvendi i Rithemelimit ishte përçarja pa kthim e Partisë Demokratike.

Plot 35 deputetë, nuk pranuan të marrin pjesë në kuvendin e organizuar nga Sali Berisha duke bërë tashmë të qartë çarjen në grupin parlamentar të PD-së.

Në Kuvendin e “bashkimit” apo më saktë “përçarjes” kanë munguar edhe deputetë që dukeshin sikur ishin afruar kohët e fundit me Berishën si Ervin Salianj, Grida Duma apo Tomorr Alizoti.

Përveç këtyre të fundit mungonin edhe Enkelejd Alibeaj, Agron Gjekmarkaj, Alfred Rushaj, Andia Ulliri, Arbi Agalliu, Bledion Nallbati, Dashnor Sula, Dhurata Çupi, Emilia Koliqi, Eralda Bano Tase, Fation Veizaj, Ferdinand Xhaferraj, Flamur Hoxha, Flutura Açka, Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Helidon Bushati, Ilda Dhori, Jorida Tabaku, Kastriot Piroli, Kreshnik Çollaku, Lefter Geshtenja, Lindita Metaliaj, Merita Bakiu, Oriola Pampuri, Ramadan Lika, Sajmir Korreshi, Seladin Jakupllari, Zef Hila, Zheni Gjergji dhe sigurisht edhe Lulzim Basha.

I pyetur nga gazetarët për këto mungesa, Berisha injoroi të jepte një përgjigje për mungesën masive të deputetëve. Çfarë mund të thonte në fakt?

Dhe e fundit, por edhe më e rëndësishmja. Të premten erdhi goditja e radhës nga amerikanët. Dhe jo nga ndonjë zyrtar i profil të ulët, por nga Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried. Ndërsa refuzoi ta takonte Sali Berishën (edhe presidentin Ilir Meta), duke deklaruar se nuk takohet me persona që SHBA i ka njollosur si non grata, zyrtarja e shtoi më tej dozën duke vendosur të takonte PD-në anti-Berisha.

Pas takimit që pati me deputetët e PD-së Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi dhe Jorida Tabaku, Ndihmës Sekretarja:

“Sekretari Blinken e shpalli z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur non grata. Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë. Në fakt u takova sot me drejtues të opozitës dhe do të ndaj me ju faktin që më bëri përshtypje se sa shumë biseda jonë u përqendrua jo tek e kaluara, por tek e ardhmja dhe se çfarë PD kërkon të arrijë dhe pret për sa i përket çuarjes përpara të objektivave të Shqipërisë”.

Ndoshta duke ditur situatën e bashkëshortit, sot në Kuvend u rrëzua edhe Lirie Berisha...

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video