Zbardhet dëshmia në prokurori e ish deputetit Mark Frroku i cili u arrestua dje së bashku me 7 persona të tjerë pas një përplasjeje të dhunshme fizike për pronën në Kepin e Rodonit.
Prokuroria ka marrë në pyetje palët në konflikt për një sipërfaqe toke, rreth 5 dynym e 417 metër e cila ka dalje në det.
Aty të dielën e 29 tetorit, familja Kaçuli mbështetur nga banorë të zonës dhe miq të tyre, kundërshtuan punimet për rrethimin e një sipërfaqeje toke të pretenduar njëherësh nga Kisha Franceskane dhe nga Bajram Kaçuli.
Mark Frroku ka deklaruar se është kontaktuar nga kisha me bërë rrethimin dhe thotë se nuk dinte të ketë qëlluar njeri me armë nga njerëzit që po punonin për rrethimin e tokës si dhe nga ata që ishin me të në vendngjarje
“Jam kontraktuar nga kisha për të bërë rrethimin e tokës.Në momentet që po punonim jemi sulmuar nga një grup fshatarësh të cilët na thanë që të ndërpresim punimet se toka është e jona.Na kanë goditur e ne jemi mbrojtur. Ndërkohë ka ardhur policia e na ka ndarë e më pas na ka ndaluar. Lidhur me tokën, kisha ka dokument të vjetër pronësie. Nuk di të ketë qëlluar njeri me armë nga njerëzit që po punonin për rrethimin e tokës sidhe nga ata që ishin me mua në vendngjarje" ka thënë ai para prokurorëve.
Ndërkohë familja Kaçuli është shprehur se kishin shkuar për të mbrojtur tokën që e kishin fituar me letra me ligjin 7501
"Shkuam për të mbrojtur pronën tonë sepse e kemi me letra sipas 7501.Aty jemi penguar nga njerzit e kishës dhe jeni përleshur me ta.Njëri prej tyre ka qëlluar me pistoletë në ajër por nuk kemi mundur që ta identifikojmë se cili ishte"
Ish-deputeti Mark Frroku dhe shtetasit Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri u arrestuan për “Kanosje”, “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike".
Ata pritet të dalin nesër në Gjykatën e Durrësit për vlerësim të masës së sigurisë.
Policia ka shpallur në kërkim Besnik Tomën, shoferin e Mark Frrokut pasi dyshohet se ka qëlluar me armë në vendin e konfliktit ku u gjet edhe një gëzhojë pistolete. Ai është administrator i kompanisë “A.M-L Group”, e cila është kontraktuar për të kryer punimet e murit rrethues nga pjesëtarë të kishës.