Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të shqyrtojë sot në orën 14:00 dosjen e deputetes Olta Xhaçka për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes socialiste.
Rreth 14 muaj më parë, gjykata vendosi pushimin e çështjes pasi 1/5 e deputetëve të Kuvendit pjesë e opozitës kërkuan shfuqizimin e vendimeve të Kuvendit, i cili nuk miratoi raportin e PD-së që pretendon se deputetja Xhaçka ishte në papajtueshmëri të ushtrimit të mandatit të saj për shkak të statusit si investitor strategjik që kishte përfituar familjari i saj. Në 18 janar të një viti me parë Gjykata Kushtetuese e pushoi gjykimin e çështjes, pasi më parë sipas Kushtetueses do të duhet të shprehet Kuvendi.
Vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese në daljen e saj publike para mediave për herë të parë për vitin 2024 kur u pyet për mandatin e Olta Xhaçkës deklaroi: “Të vësh në pikëpyetje zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor”.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin përbëhet nga 10 deputetë, në përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe pakicës parlamentare, i cili verifikon mandatin e deputetit. Kryetarja e Kuvendit njoftoi dy javë më parë se Këshilli për Legjislacionin kishte marrë në shqyrtim vendimet e GJK dhe në datën 8 prill në kryesinë e Kuvendit, dosja Xhaçka do të parashtrohet sërish në Këshillin e 10 deputetëve.
Përballë njeri-tjetrit në këtë Këshill do të jenë Bledi Çuçi, Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj, Ervin Salianji, Klotilda Bushka, Arben Pëllumbi dhe Ermonela Felaj.