Legjislacionin për në BE, do na e bëjë “ChatGPT”, Rama zbulon telefonatën me Mira Muratin: Ajo qeshi kur i thashë se...

8 Dhjetor 2023, 17:05Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mira Murati / Edi Rama

Kryeministri Edi Rama thotë se punën voluminoze për përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian, Shqipëria do e realizojë parmes Inteligjencës Artificiale.

Gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste, Rama zbuloi telefonatën me shefen e produkteve në “Open AI”, Mira Murati, të cilës i kërkoi ndihmë për hartimin e mbi 280 mijë faqeve masa ligjore të BE-së, që siç tha ai nuk konsiston vetëm në përkthim, por edhe përshtatje.

Rama tha se kjo do i kursejë vendit tonë shumë kohë si dhe do të eleminojë nevojën e qindra ekspertëve.

Pjesë nga fjala e Ramës:

E kërkoj Mira Muratin, me një ndrojtje që nuk më karakterizon dhe ajo më jep një takim telefonik. Dhe unë marr guximin t’i kërkoj ndihmë për ta bërë gati Shqipërinë më shpejt për në BE. Ajo qesh megjithatë thotë po të dëgjoj. A është e mundur që ne, në vend që të rekrutojmë një armatë me përkthyes dhe juristë, dhe të shpenzojmë disa dhjetra miliona euro për marrjen e masave të BE-së, ta bëjmë këtë përmes Chat GPT. Ajo më dëgjoi dhe tha po mundet. Kështu nisi puna e përbashkët, dhe sot dua ta ndaj me ju që në 13 dhjetor në Bruksel, unë do ua lë si kartolinë të gjithë liderëve të BE-së, rezultatin e suksesshëm të inteligjencës artificiale për vendosjen e 280 mijë faqeve, masa ligjore të BE-së.

Modeli ynë revolucionar këmbë e krye i gjithë këtij procesi monumental për nga volumi i punës, nuk bën vetëm përkthim, por në thelb na mundëson një qërim farmaceutik, duke na ekspozuar të gjitha vargmalet e mbivendosjeve që kanë ndodhur si rezultat i kalimit të ligjeve pa marrë parasysh, dhe duke na dhënë edhe analizat e impaktit të çdo mase, për të cilën do të na duheshin ndryshe dhjetra e dhjetra ekspertë. Shqipëria jo vetëm që do e bëjë përafrimin e legjislacionit me BE-në, por do e bëjë më shpejt nga çdokush më parë, madje do ndihmojë edhe Kosovën.

Video