Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka hapur Kongresin e Partisë Socialiste, i cili po mbahet në Pallatin e Kongreseve.
Ndër të tjera, Spiropali foli edhe për 10 milionë turistët që erdhën në Shqipëri gjatë këtij viti, të cilët sipas saj nuk erdhën vetëm për shkak të një kryeministri të jashtëzakonshëm si Edi Rama, i cili nuk i la kusur ambasadorit rus në Këshillin e Sigurimit, por kanë ardhur të ndjellë nga një vend me dielli.
“10 milionë turistë në një vit në Shqipëri nuk kanë ardhur vetëm të grishur nga një kryeministër i jashtëzakonshëm si Edi Rama, që si lë kusur ambasadorit rus në mes të mbledhjes në Këshillin e Sigurimit.
Ata kanë ardhur të ndjellë nga një vend me diell, dritë, shpresë dhe optimizëm, një vend dinamik, i sigurtë për të jetuar dhe me bukën e kripën më të lirë në Evropë”, tha ndër të tjera Spiropali.
Spiropali duket se e ka gjetur çelësin e suksesit, ajo nuk është hera e parë që bën elozhe ndaj kryeministrit, Edi Rama.
Ministrja e ka krahasuar disa vite më parë kryeministrin Rama me Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Prandaj ajo ka të drejtë kur pohon se “nuk ka njeri që nuk i do komplimentat” sado të ekzagjeruara të jenë ato.