“Shqipëria 2030”, projekti cinik i Ramës për të kaluar vitet e Enver Hoxhës në pushtet!

8 Dhjetor 2023, 15:13Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Enver Hoxha/ Edi Rama

Shënim: Edi Rama erdhi në pushtet në 2013-ën me dajre, e mbrojti në 2017-n me timon dhe dhe fitoi si askush tjetër në historinë e pluralizmit shqiptar mandatin e tretë me tepsi.

Nëse në 2013-ën, veç dajres Rama u prezantoi shqiptarëve edhe një program ambicioz me premtime nga shëndetësia falas, te financimi me 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të arsimit, deri te hapja e negociatave e mirëmenaxhimi i fondeve të BE e njëjta gjë nuk ndodhi në dy zgjedhjet e mëpashme që fitoi.

Në 2017-n, Rama flaku tutje programin dhe kapi timonin. Fajësoi koalicionin me Ilir Metën (që më parë e zgjodhi si President) për mospërmbushjen e premtimeve të dhëna në 2013-n dhe kërkoi votën nga qytetarët pothuajse me të njëjtat premtime.

Atyre që në atë kohë guxonin që t’i kërkonin një program qeverisës për mandatin e dytë, me objektiva konkretë për rrogat, pensionet, investimet, arsimin, shëndetësinë dhe integrimin europian u përgjigjej duke thënë se PS ka më shumë se një program, ka platformë.

Loja e fjalëve mes programit e platformës u zëvendësua me një fletushkë 28 faqëshe pas marrjes së pushtetit dhe formimit të qeverisë ‘Rama 2’. Në program, pasi bëhej një përmbledhje e sukseseve të arritura në mandatin e parë, flitej për drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, integrimin në terma të përgjithshme pa shifra, pa afate, por vetëm me objektiva në ajër.

Përjetësimi i Ramës në pushtet ishte viti 2019-të kur mori një dorë të mirë nga opozita, që pasi dogji mandatet bojkotoi edhe zgjedhjet vendore. Në këto zgjedhje foli për herë të parë për platformën “Shqipëria 2030”.

Në 2021, la programin dhe timonin e kapi tepsinë. Ashtu si në 2017-ën fushatën e përqëndroi te sulmet ndaj kundërshtarëve, duke thënë se qëllim të vetëm kanë tepsinë e pushtetit dhe jo interesat e qytetarëve.

Foli sërish për platformën ‘Shqipëria 2030’ me objektivat e vendosura nga Qeveria përtej mandatit katërvjeçar. Deri këtu nuk ka asgjë anormale kur bëhet fjalë për objektivat e një partie politike, ku parësori është ai i qeverisjes sa më gjatë.

Por, Partia Socialiste sot është Edi Rama dhe pas platformës fshihet ambicia cinike e Kryeministrit për të qëndruar në të paktën deri në 2030-ën, madje të tejkalojë edhe Enver Hoxhën. Pse cinike? Cinike sepse Rama i ka vendosur të gjithë në rresht dhe mjafton fjala e Elisa Spiropalit në këtë kongres për të kuptuar se ai karriera e tyre në politikë varet krejtësisht prej tij.

Ambicia është cinike sepse, nëse Edi Rama ka aftësinë që të rishpikë vetveten sa herë ka zgjedhje, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Partinë Socialiste.

Partia sot duket më e ezauruar se kurrë nga pushteti, i mungon një vizion i ri, një qasje, apo një ide e re për qeverisjen, zhvillimin dhe të ardhmen e vendit.

Kjo kuptohet edhe nga fjalimet në Kongres, ku në panelin e drejtësisë, Ulsi Manja e Erion Braçe folën për 21 Janarin, 12 vite pas tragjedisë dhe 10 vite pas marrjes së pushtetit.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video