Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në fshatin Vajzë të Vlorës, ku po zhvillohet festa e fshatit. Rama është pritur nga kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, në një kohë kur kjo bashki është rreshtuar kundër propozimit për shkrirjen e saj dhe bashkimin me Bashkinë Vlorë.
Festa po zhvillohet këtë mbrëmje në Vajzë, ndërsa debati për reformën e re territoriale ka shkaktuar reagime të forta në Selenicë.

Kryebashkiaku Nertil Bellaj është shprehur kundër zhbërjes së Bashkisë Selenicë, duke deklaruar se propozimin për shkrirjen e saj e mësoi vetëm pas publikimit të draftit në media.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak, këshilltarët, si të majtë ashtu edhe të djathtë, votuan kundër shkrirjes së bashkisë. Ata argumentuan se një vendim i tillë do të dëmtonte përfaqësimin dhe interesat e banorëve të zonës.
Bellaj ka deklaruar se Selenica nuk përbën barrë për buxhetin e shtetit, duke e renditur bashkinë ndër njësitë vendore me nivel të lartë të performancës institucionale.
Një prej shqetësimeve të ngritura nga këshilltarët lidhet edhe me diferencat mes zonave të Labërisë dhe zonave më të zhvilluara të Vlorës. “Përse një banor i fshatrave malorë të Labërisë të paguajë të njëjtat taksa si një banor që jeton në zonat më të lakmuara të Vlorës?”, ishte pyetja e ngritur prej tyre.
Këshilltarët i kanë bërë thirrje deputetëve të zgjedhur në zonën e Labërisë që të votojnë kundër zhbërjes së Selenicës dhe bashkimit të saj me Vlorën.
Edhe kryepleqtë e fshatrave të Bashkisë Selenicë, të pranishëm në mbledhje, janë shprehur njëzëri kundër bashkimit me Vlorën, duke paralajmëruar vijimin e protestave.
Në këtë klimë debatesh për reformën territoriale, vizita e Ramës në festën e fshatit Vajzë, në zonën që drejtohet nga Bellaj, merr një vëmendje të veçantë, teksa qëndrimi i Bashkisë Selenicë kundër shkrirjes së saj tashmë është bërë publik.