Agron Shehaj ka hedhur akuza ndaj deputetit demokrat Flamur Noka, lidhur me koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.
Kryetari i partisë “Mundësia”, Shehaj ka denoncuar se pas kompanisë DH Albania, që ka fituar këtë kontratë, fshihet biznesmeni Bashkim Ulaj, një person i njohur për lidhjet e tij të ngushta me deputetin Flamur Noka.
Sipas Shehajt, sa herë që ai ka ngritur shqetësime për këtë koncesion, Noka ka reaguar në mënyrë sulmuese, duke mbrojtur interesat e biznesmenit Ulaj.
“Zëri i Amerikës ka raportuar se pas kompanisë DH Albania fshihet Ulaj. Çdo herë që unë flas për Thumanë-Kashar, menjëherë del Flamur Noka dhe shpif ndaj meje. Arsyeja është e qartë: të gjithë e dinë se Ulaj është shumë afër Nokës,” ka deklaruar Shehaj.
Ai ka theksuar gjithashtu se ky koncesion, që përfshin ndërtimin e një rruge 20 km, ka një kosto që është rritur në mënyrë dramatike, nga 60 milionë euro në 1.3 miliardë euro.
Shehaj ka paralajmëruar se qytetarët shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat financiare të këtij projekti dhe ka sugjeruar se ky koncesion është fituar për shkak të marrëveshjeve të fshehta mes përfituesve.