Në reagimin e parë për akuzat publike të ngritura kundër tij për korrupsion, Arben Ahmetaj zgjodhi të relativizojë provat e faktet e publikuara nga Inside Story. Ish-ministri i Financave u rikthye në Kuvend këtë të enjte, ku para se të hynte në sallën e mbledhjeve plenare u pyet nga mediat se çfarë po ndodh me të.
Iu përgjigj duke thënë se ka nisur palestrën dhe ka humbur 4 kilogram. A i ka humbur këto kilogramë vërtet nga palestra, apo për shkaqe të tjera kjo ha debat. Gjithsesi, në lidhje me akuzat i cilësoi ato si akuza të ngritura nga mercenarë.
E shpjeguar më thjeshtë, Ahmetaj nuk u mor me akuzat, por me akuzuesit. Me kaq e mbylli ‘llogaridhënien’, duke anashkaluar provat e paraqitura në Inside Story për vilën 1 milionë euroshe të Hamallaj, ku dyshohet se është pronari i vërtetë i saj. Ahmetaj shmangu komentin mbi dokumentacionet e paraqitura nga emisioni se si një vilë e porositur nga Klodian Zoto përfundoi pas një serie transaksionesh të dyshimta në pronësi të partneres së tij.
Shmangu komentin mbi pagesat që Klodian Zoto ka bërë për qëndrimin e tij në hotele luksoze nëpër Europë. Këto janë akuzat më të hershme të ngritura ndaj tij, pa folur për dosje e hetime të mëparshme, që datojnë që nga fillimi i viteve 2000 me impulset e Albtelekom./TopNews