Atentati në Rinas, Berisha i kthen përgjigje Ramës: Cilat kamera mungonin more? Vrasja ndodhi nën patronazhin e shtetit

15 Nëntor 2025, 12:45Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ktheu përgjigje kryeministrit Edi Rama pas deklaratave të këtij të fundit për ngjarjen e Rinasit, ku tha se nëse sistemi i kamerave inteligjente do të ishte aktiv, vrasja do ishte zbardhur në kohë reale.

Berisha u shpreh se nuk mungonin kamerat, por atentati ndodhi nën patronazhin e shtetit.

“Të gjitha në patronazhin e narkoshtetit, ky deklaroi se na mungonin kamerat. Cilat kamera mungonin more? Shqiptarët me kamera panë çdo gjë me detaje. Vetëm ti nuk i sheh se do të mashtrosh”, tha Berisha.

Po ashtu, ai iu përgjigj Ramës edhe për fondin e posaçëm për ilaçet për pacientët e onkologjikut që ka paralajmëruar kryeministri.

“Uroj të mos ua vidhni ilaçet siç keni vepruar sepse keni vjedhur paratë e ilkaçeve. Sepse administrata jote ka bërë tregtinë e ilaçeve, ministrja jote është pasuruar me ilaçe. Janë të evidentuar nga kontrollet e KLSH-së”, tha Berisha.


Video