
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një dëgjesë me qytetarët e Tiranës, më konkretisht me banorët e Njësisë Administrative nr. 3. Kreu i qeverisë ceku edhe situatën në Tiranë pas arrestimit të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.
Ai sqaroi para qytetarëve edhe arsyet pse u kërkua shkarkimi i Erion Veliajt dhe hapja rrugë e zgjedhjeve në kryeqytet.
Sipas Ramës gjithçka ndodhi pasi Veliaj humbi gjyqin në të tre shkallët që të gjykohet në gjendje të lirë. Rama tha se qytetarët kanë të drejtë të qeverisen nga i zgjedhuri i tyre dhe kjo është arsye pse kërkuan zgjedhje.
“Në të gjitha shkallët ku kryetari i bashkisë kërkoi rikthimin në detyrë dhe hetimin në gjendje të lirë e humbi gjyqin dhe kur u ezauruan të gjitha shkallët ishte gjëja më normale që të mendohej për qytetin, të mendohej për njerëzit se kanë edhe ata një të drejtë shumë të madhe themelore. E drejta për t’u qeverisur nga të zgjedhurit e tyre. Kjo ishte arsyeja pse ndërmorëm hapin tjetër që të hapim rrugën e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Nuk ishte një hap për të fajësuar kryetarin e Bashkisë, as një hap i lidhur me faktin se kryetari i bashkisë mungonte në detyrë se kishte arsye të vetat. Ishte hap i lidhur me faktin që kryetari i bashkisë në pamundësi për të kryer detyrën të mos kthehej në një problem gjithnjë e më të madh pa qytetin”, tha ai.
Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Rama tha se mazhoranca socialiste e respekton, por theksoi se duhet të jetë ajo që të kthejë në punë Veliajn, tashmë që mori vendimin që të shfuqizojë zgjedhjet e pjesshme lokale.
“Është një vendim gjykate, nuk diskutohet që e respektojmë, madje nuk kam asnjë arsye të besoj se Gjykata Kushtetuese ka bërë politikë në këtë rast. Kam arsye të besoj se Gjykata Kushtetuese ka menduar ndryshe, por mendimi ndryshe i Gjykatës Kushtetuese të çon në konkluzionin që kur kryetari i bashkisë të shkojë atje për të kërkuar të kthehet në zyrë, Gjykata Kushtetuese ta kthejë në zyrë sepse vetë ka thënë që nuk mund të bëhen zgjedhje në Tiranë sepse ai është i zgjedhuri. Atëherë duhet ta kthejë në zyrë në mënyrë që të normalizohet një situatë që është çdo ditë dhe më e vështirë për kryeqytetin”, tha Rama.