Shoqata Hasi dhe Diaspora Hasjane kanë argumentuar në një takim publik në Tiranë se meritojnë të jenë njësi më vete bashkiake për shkak të vlerave historike të veçanta që mbart zona e tyre.
“Deri më tani nuk ka asnjë deklarim zyrtar për këtë bashki, por pikërisht ngaqë nuk ka deklarim zyrtar, frika ekziston. Do të ishte mëkat që gjithë ky çlirim vlerash, që shpërthejnë me energjitë më të mira, të ndërpritet”, u shpreh Kujtim Morina, Kryetar i Shoqatës Atdhetare ‘Hasi’.
“Nuk dëshirojmë kurrë që Hasi të zbrazet, të dobësohet, sidomos kur përballet me sfida territoriale. Kjo është një pasojë që mund të shkaktojë tragjikisht edhe më shumë largimin e hasjanëve. Përkundrazi, synimi ynë është të bëjmë gjithçka për të parandaluar largimin dhe për të përforcuar lidhjen tonë me vendlindjen”, u shpreh Uran Derri, koordinator i ‘Diaspora Hasjane’.
Mbështetje kanë marrë edhe nga bashkëkryetari i reformës territoriale, Luciano Boçi.
“Ne duhet të rrisim numrin e bashkive, jo vetëm të ruajmë Hasin, por të vendosim në hartë dhe ato territore që e meritojnë, kanë identitetin e tyre historik, kulturor dhe duhet të ekzistojnë si të tilla”, u shpreh Boçi.
Në këtë takim u dokumentua me foto dhe dëshmi historike tradita dhe kultura e kësaj krahine, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Abbott.