
“Ecole 42”, shkolla prestigjioze franceze e kodimit, e pranishme në 31 shtete, do të jetë tashmë edhe në Shqipëri, si një strukturë e dedikuar drejt botës së teknologjisë.
Kryeministri Edi Rama dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, morën pjesë këtë mbrëmje në ceremoninë e hapjes së kësaj shkolle pranë Piramidës.
Rama dhe Macron biseduan me të rinjtë që janë bërë pjesë e kësaj shkolle.
Sakaq, Shqipëria dhe Franca nënshkruan sot në Tiranë një deklaratë bashkëpunimi për Planin e Veprimit për Inovacionin.
Deklarata u nënshkrua nga ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja si dhe ministrja franceze e Inovacionit, Clara Chappaz, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
Ky Plan shënon një hap të madh përpara për Shqipërinë, që synon të kthehet në një qendër evropiane për Inteligjencë Artificiale të gjelbër dhe inovacion të qëndrueshëm.
Autoritetet theksojnë se partneriteti me Francën është çelësi për të afruar më shumë investime, për të rritur bashkëpunimin akademik dhe për të fuqizuar ekonominë kreative shqiptare.