Opozita shkaktoi sot incidente në parlament, në seancën e parë pas burgosjes së deputetit demokrat Ervin Salianji.
Jashtë parlamentit iu vu zjarri karrigeve, ndërsa u tentua të qëllohej me këmbën e një karrigeje edhe kryetarja Elisa Spiropali. Kjo e fundit tha se Kuvendi u kthye në skenë krimi dhe kërkoi që autoritetet ligjzbatuese të veprojnë.
Por deputeti Flamur Noka, i cili ishte në krye të protestës së sotme në Kuvend, dhe që më pas u përjashtua nga seanca, thotë se nuk i bëhet vonë, nëse arrestohet.
Në emisionin "Zona Zero" me gazetarin Milaim Zeka, ai tha se mosbindja civile dhe protestat masive do të vijojnë, deri në rrëzimin e "regjimit të Ramës".
Pjesë nga biseda në Top News:
Milaim Zeka: A mund të arrestohesh me këtë akt?
Flamur Noka: Nuk më intereson fare, nuk më intereson se çfarë mendon SKAP-i i partisë, ne jemi aty për t'i thënë se po i vë zjarrin Shqipërisë, mendohu mirë.
Nesër në orën 12 do të shikoni frontin opozitar, qëndrimi, dhe reagimin e përbashkët të opozitës në protestën e 7 tetorit. Kemi rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës që ka qenë edhe më i egër, do ta rrëzojmë edhe këtë regjim. Sanksionimi i Berishës është politik, i gjithi nga Xhorxh Soros. Nuk i kanë gjetur asnjë provë dhe fakt.