Kreu i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Niko Peleshi, ka dhënë një deklaratë për gazetarët, ku u pyet në lidhje me dënimin me 1 vit burg të Ervin Salianjit, si dhe aksionin e pritshëm të opozitës.
Peleshi tha se socialistët janë të angazhuar në jetën parlamentare, dhe se mbledhjet dhe seancat do të vijojnë normalisht, pavarësisht thirrjeve të ndryshme për bllokim nga ana e opozitës.
“Jemi para një seance parlamentare të ditës së enjte, dua t'iu konfirmoj se ne do të ndjekim me përpikmëri jetën parlamentare, dhe komisionet. PS dhe të gjithë deputetët e saj kanë qenë në mënyrë intesive në terren, edhe në kuadër të zgjedhjeve”.
“Sot është zhvilluar Komisioni për Çështjet Europiane, në mbledhje kanë marrë pjesë disa, pak, deputetë të opozitës. Ka dhe komisione të tjera që po vazhdojnë, ne do të vazhdojmë jetën parlamentare”.
“Nuk kemi pse e paragjykojmë, deri tani nuk ka një skenar bllokimi, që të jetë e nevojshme mbledhja e komisioneve online. Nuk e kemi kuptuar mirë deklaratën e opozitës, nuk e kuptojmë fjalën bllokim i marrëdhënieve institucionale me mazhorancën”.
I pyetur me insistim nga gazetarët, nëse kishte një koment mbi arrestimin e Salianjit, Peleshi nuk dha një përgjigje, me pretendimin se PS nuk vë në diskutim vendimet e gjykatave.
Edhe pse ky rregull në fakt është thyer nga kryeministri Edi Rama, i cili ka bërë disa komente për rastin e Salianjit.
“Ju e dini që ne nuk komentojmë vendimet e gjykatave. Nuk e kemi bërë këtë as me kolegët tanë, mos më kërkoni që të komenton një vendim të formës së prerë të gjykatës. Për këtë ditë kemi punuar të gjithë bashkë. Nuk bëhet fjalë për mbrojtjen e kolegëve, për çështjen që ju pyesni (Olta Xhaçka), ne kemi pasur paqartësi, dhe për këtë kemi kërkuar opinionin e Venecias”.
“Nuk jam këtu për të dhënë mendimet e mia personale, nëse më ftoni në banaqet tuaja… nuk është në kuptimin ofendues. Nuk thashë kazan, edhe pse ndonjë rast mund të qëndrojë kjo fjalë”.