Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur sot protestën e dhunshme të deputetëve demokratë, të cilët dogjën karriget në hyrje të parlamentit dhe tentuan të qëllonin kryetaren Elisa Spiropali.
Berisha thotë se kjo është nisja e "betejës pa kthim" për fitoren e opozitës. Ai gjithashtu shpreh besimin se shqiptarët do çohen për të rrëzuar Edi Ramën dhe Xhorxh Sorosin.
Sipas tij, "kjo betejë është për të shpëtuar Shqipërinë dhe jo për Ervin Salianjin apo ndonjë parti politike".
Duke akuzuar Linda Ramën, bashkëshorten e kryeministrit Edi Rama për korrupsion, Berisha tha se ajo ka një pallat 5-katësh të ndërtuar pa asnjë faturë tatimore apo të ndonjë lloji tjetër.
Ndërsa Jamarbër Malltezi, dhëndri i tij, sipas Berishës akuzohet për korrupsion vetëm se mori 400 metra katror tokë të trashëguar, si pasardhës i familjes së katërt më të pasur të Shqipërisë.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Le të kthehemi pak disa vite më parë, kur shorti i ra kontrollit pasuror të Edi Ramës, mafia ndërkombëtare u vërsul si egërsirë kundër këtij kontrolli, sepse ishin ndërtuar sarajet në Surrel, sepse kishin mbirë në sheshin e pallateve, pallati 5 katësh Linda Rama, sepse nuk ekzistonte asnjë faturë, tatimore, doganore e çfarëdolloj.
Kurse sot me vullnetin e lig antishqiptar për të mposhtur dhe rrënuar një komb, akuzuan Sali Berishën për korrupsion paçka se dëshmia e vetme dolën 400 metra katrorë tokë të Jamarbër Malltezit, pasardhës i familjes së katërt më të pasur të Shqipërisë.
Këta mafioze zgjodhën korrupsionin, mbështetjen e tij për të shkatërruar Shqipërinë dhe shqiptarët.
Cili ishte korrupsioni i Sali Berishës, tani që përfunduan çdo hetim, pagesat që vajza e saj, ka bërë për pushime, i ka bërë për kujdes shëndetësor, si çdo fëmijë i bën të atit dhe i ati i bën fëmijës. Ky është korrupsioni o mafioz, që e bën për të shkatërruar Shqipërinë, por shqiptarët do të ngrihen kundër Edi Ramës, Xhorxh Sorosit, Aleks Sorosit dhe mafias ndërkombëtare, Mcgonigalëve.