Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur sot mbështetësit e tij të PD-së në Tiranë, në një takim ku ka vënë alarmin për situatën “ekzistenciale” ku ndodhet kjo forcë politike.
Berisha mesa duket ka paralajmëruar për një aksion të ri opozitar, duke thënë se po përballet me vendimet e qeverisë që e nxjerrin opozitën e përfaqësuar nga ai si “të paqenë”.
“Kupa po derdhet”, tha Berisha, ndërsa më herët gjatë takimit me Gazment Bardhin, deputetët mbështetës të Berishës kanë propozuar bojkotimin e institucioneve deri te hyrja në grevë urie.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Së pari dua të ju përshëndes ju, si drejtues të degëve të PD-së për Tiranën dhe të gjithë anëtarësinë dhe mbështetësit tanë, në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë.
Thirra këtë takim me ju, pasi PD dhe opozita hynë në një fazë të re. Të themi të vërtetën në një betejë të re, e cila imponohet nga kushtet dhe rrethana që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë për opozitën shqiptare në 30 vite. Opozita, PD-ja kaloi në këto 2 vitet e fundit një nga periudhat më të vështira të ekzistencës së saj dhe të një force politike, ndonëse ajo mbart në vete sot të gjitha transformimet e mëdha të Shqipërisë në dekada.
Ajo dhe mbështetësit e saj përballen me një represion të gjithëanshëm të të drejtave të tyre ligjore, kushtetuese, me një agresion të vërtetë nga qeveria, që synon dhe ka synuar mos asgjësimin e saj tërësisht, ka synuar shndërrimin e saj në një force politike të pavlerë, apo në një fasadë të saj. Asgjë nga këto që them unë, nuk është se ju nuk i dini dhe qytetarët nuk i dinë. Por ka një moment që në gjuhën e thjeshtë të popullit thuhet, kupa po derdhet.
Pas mbijetesës tonë, nuk po bëj historikun e këtyre dy viteve, pas dhunimit masiv të zgjedhjeve, Edi Rama me një seri vendimesh defakto politikisht bën të paqenë opozitën në parlament. Pra, ne si përfaqësues të themi të atyre 600 mijë qytetarëve që me 14 maj, nuk po flas për 21 prillin, nuk votuan për qeverinë, por kundra saj, ne defakto në parlament shkojmë sot si kurrë në historinë e parlamentit, faktikisht në rrafshin politik të paqenë.