Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është nisur sot për një vizitë zyrtare në Londër, me ftesë të homologut Lordit Kancelar dhe Sekretar i Shtetit për Drejtësinë në Mbretërisë së Bashkuar, Alex Chalk.
Në qendër të këtij takimi do të jetë nënshkrimi i marrëveshjes dy-palëshe për transferimin e të dënuarve shqiptarë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri.
Ministri Manja pritet të zhvillojë edhe takime të tjera të nivelit të lartë, siç janë takimet në Parlamentin dhe Gjykatën Supreme, me të cilët do të diskutojë mbi çështje të ndryshme të sistemit të drejtësisë.
Me rëndësi të veçantë për Ministrin Manja do të jetë vizita në burgun e meshkujve në Pentonville, ku do të takojë shtetasit shqiptarë që janë në pritje të dënimit nga gjykatat britanike. Kjo është hera e parë që një ministër drejtësie zhvillon një takim të tillë dhe ka në fokus kushtet e trajtimit të shtetasve tanë, problematikave që hasin, veçanërisht përsa i përket diskriminimit dhe paragjykimeve apo mundësive që kanë pasur për të komunikuar me familjet e tyre.
Rreth 200 shqiptarë të dënuar në Britani pritet të rikthehen në vendin tonë për të vuajtur dënimin.